VIDEO/ Moment i rrallë në Mesdhe, zhytësi filmon peshkaqenin e bardhë pranë varkës

Soft

VIDEO/ Moment i rrallë në Mesdhe, zhytësi filmon peshkaqenin e

Një takim i rrallë me një peshkaqen të bardhë është filmuar në Detin Mesdhe nga një grup zhytësish që po zhvillonin një mision për mbrojtjen e mjedisit detar.

Pamjet janë regjistruar nga Derk Remmers, pjesë e organizatës mjedisore Healthy Seas, i cili e përshkroi momentin si një përvojë të veçantë.

Remmers tregoi për BBC se peshkaqeni u afrua shumë pranë grupit të zhytësve, duke e bërë situatën emocionuese dhe të pazakontë.

"Kur e pashë aq pranë, gishtat më dridheshin ndërsa përpiqesha të ndizja kamerën", u shpreh ai.

Sipas ekspertëve, peshkaqeni i filmuar mendohet të ketë qenë një mashkull i rritur. Ai u vu re në ujërat mes Tunizisë dhe Siçilisë, larg zonave bregdetare dhe larg frekuentimit të pushuesve.

Shkencëtarët sqarojnë se nuk ka arsye për shqetësim për njerëzit, pasi vëzhgimi u bë në det të hapur dhe larg plazheve.

Peshkaqeni i bardhë konsiderohet një specie shumë e rrallë në Mesdhe. Studiuesit besojnë se peshkimi pa kriter dhe kapja aksidentale në rrjeta kanë ndikuar ndjeshëm në rënien e numrit të tyre gjatë dekadave të fundit.

Zhytësit e organizatës Healthy Seas ndodheshin në zonë për të dokumentuar problemin e të ashtuquajturave "rrjeta fantazmë", rrjeta peshkimi të braktisura që vazhdojnë të dëmtojnë jetën detare edhe pasi nuk përdoren më.

Ekspertët shpresojnë që ky vëzhgim i rrallë të nxisë autoritetet e vendeve mesdhetare të shtojnë përpjekjet për krijimin e zonave të mbrojtura detare dhe ruajtjen e specieve të rrezikuara.

 

ME TE LEXUARAT