Rama nga Thethi sulmon protestuesit: Dalin lloj-lloj sharlatanësh e ekstremistë, nuk duan investimet e huaja

Politikë

Rama nga Thethi sulmon protestuesit: Dalin lloj-lloj sharlatanësh e

Kryeministri Edi Rama sulmoi nga Thethi protestuesit që prej 52 ditësh mblidhen çdo ditë në bulevardin përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe largimin e kastës së vjetër politike.

Gjatë një takimi me banorët e zonës, kreu i qeverisë i akuzoi protestuesit se kundërshtojnë investimet e huaja dhe i cilësoi me terma si “sharlatanë”, “delirantë” dhe “ekstremistë”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të banorëve për Paketën e Maleve dhe ndërhyrjet e qeverisë ndaj ndërtimeve pa leje në Theth, Rama argumentoi se zhvillimi ekonomik vjen përmes investimeve dhe mori si shembull projektin për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit, që sipas tij do t’i shërbejë zhvillimit të turizmit dhe zonës.

“Nga vijnë fondet? Fondet vijnë nga investimet. Edhe shtetet më demokratike bëjnë garë për të sjellë më shumë investime të huaja. Në Shqipëri dalin lloj-lloj sharlatanësh, delirantësh e ekstremistësh dhe thonë nuk duam investime të huaja, nuk duam të huaj në Shqipëri. Kujt po ia shesim Shqipërinë?”, u shpreh Rama, duke përmendur edhe investimet e Katarit si shembull.

Kryeministri tha se qeveria do të nisë ndërtimin e rrugës së Dukagjinit, ndërsa kujtoi se dikur zona vuante nga mungesa e infrastrukturës, energjisë elektrike dhe ujit.

Në të njëjtin takim, Rama sqaroi edhe Paketën e Maleve, duke theksuar se ajo nuk është një skemë në favor të oligarkëve, por synon t’u japë zgjidhje çështjeve të pronësisë për trashëgimtarët në zonat malore.

Ai mohoi gjithashtu se kishte premtuar legalizimin e ndërtimeve të reja pa leje në vizitën e tij të mëparshme në Theth, duke theksuar se qeveria do të legalizojë vetëm ndërtimet ekzistuese që plotësojnë kriteret ligjore.

“Nuk kam thënë vazhdoni ndërtoni se do t’i legalizojmë. Kam folur vetëm për ndërtimet ekzistuese. Pas vizitës sime shpërtheu vala e ndërtimeve të paligjshme, u dëmtua zemra e Thethit dhe lëndina pranë kishës u zaptua me ndërtime pa leje. Këto nuk mund t’i lejonim”, deklaroi Rama.

Takimi në Theth u zhvillua në prani të ministrave Ervin Demo dhe Enea Karakaçi, kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, si dhe zyrtarëve vendorë.

ME TE LEXUARAT