Lamallari për aksionin e Policisë Rrugore: Xhamat e errësuar do të hiqen, rregullat janë njësoj për të gjithë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar lidhur me aksionin e fundit të Policisë Rrugore për evidentimin dhe heqjen e xhamave të errësuar të automjeteve që janë vendosur në kundërshtim me ligjin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, shoqëruar me pamje të aksionit policor, Lamallari thekson se automjetet me xhama të errësuar pa leje nuk do të tolerohen, duke nënvizuar se zbatimi i ligjit është i barabartë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
“Xhamat e errësuar në makinë nuk ju bëjnë të padukshëm. Dhe më keq akoma kur ato i keni pa leje, sigurisht që do të hiqen pa një pa dy nga Policia e Shtetit”, shprehet ministri.
Lamallari thekson se rrugët janë një hapësirë publike ku siguria dhe transparenca janë parësore, ndaj çdo shkelje do të trajtohet sipas ligjit.
“Rrugët nuk janë vend për anonimitet dhe as për privilegje. Janë hapësirë publike ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë”, përfundon ministri.
Policia Rrugore vijon kontrollet në të gjithë vendin, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi. Në dy javët e fundit, në gjithë vendin janë ndëshkuar më shumë se 500 drejtues mjetesh për këtë shkelje.


