Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato mbyll misionin në Shqipëri: Ky vend do mbetet në zemrën time gjithë jetën

Aktualitet

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato mbyll misionin në Shqipëri: Ky

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato do ta përfundojë zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Shqipëri në fund të muajit gusht. Me këtë rast, ai u nderua nga Bajram Begaj, me propozim të kryeministrit Edi Rama, me dekoratën “Ylli i Madh i Medaljes ‘Benemerenti’”, në vlerësim të kontributit të tij gjatë tre viteve të shërbimit në vend.

Ceremonia u zhvillua më herët gjatë muajit korrik, për shkak se pjesa më e madhe e stafit të Delegacionit të Bashkimit Evropian nuk ndodhet në Shqipëri gjatë muajit gusht.

Në mesazhin e tij të lamtumirës, Gonzato u shpreh se Shqipëria do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij. Ai theksoi se Bashkimi Evropian përfaqëson më shumë se një bashkim ekonomik, duke e cilësuar atë një komunitet të ndërtuar mbi vlera si liria, barazia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

Gonzato falënderoi qytetarët shqiptarë për mikpritjen dhe vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se BE-ja ka mbështetur vazhdimisht reformat dhe ndërtimin e institucioneve të forta, ndërsa e mbylli mesazhin me fjalët:

“Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën. Shihemi në BE!”

ME TE LEXUARAT