“Do na hidhen në fyt flamingot…”/ Rama kujton legjendën e Rozafës në Shkodër: Njësoj si sot, ndërtojmë ditën, na e prishin natën

Aktualitet

“Do na hidhen në fyt flamingot…”/ Rama kujton

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në takimin e organizuar në Shkodër me anëtarët për 35-vjetorin e Partisë Socialiste.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka ironizuar edhe protestat që po zhvillohen tashmë prej 9 ditësh në Tiranë. Sipas kryeministrit, PS sot është më e fortë se kurrë më parë, duke iu referuar edhe pjesëmarrjes së madhe të qytetarëve në takim. Ai tha se “flamigot” do i hidhen në fyt duke thënë se pjesëmarrësit janë patronazhistë apo punonjës të administratës, të detyruar të shkonin në takim.

“Kur po ngjisnim ato rrugicat e kalasë për të ardhur deri këtu dhe më thoshin që ka shumë njerëz, thashë: apo thonë çfarë dëshirojnë apo çfarë është në realitet, sepse shumë njerëz kanë rezistuar deri në fund të asaj ngjitjeje, i bie jo vetëm që jemi të fortë, por më të fortë se asnjë tjetër.

Do na hidhen në fyt menjëherë flamingot dhe do thonë patronazhistë, administrata janë mbledhur atje me zor të madh, por unë ju falenderoj shumë dhe ju çmoj shumë, për mundimin për t’u ngjitur deri këtu së bashku, një ngjitje që ka qenë jo e lehtë dhe duke marrë parasysh nga nisën ata që kanë themeluar PS, dhe ata që morën guximin në Shkodër ta çelin degën e PS, nuk kemi arsye të qahemi nga vështirësitë, por i kemi të gjitha arsye për t’u ngjitur dhe për ta ngjitur Shqipërinë në majën ku na kanë lënë rilindasit dhe ku ia kemi borxh fëmijëve tanë, në BE.

Duke u përpjekur të bëj disa mendime, po mendoja që pavarësisht se kjo skenë këtu është zgjedhur për bukurinë e vet të jashtëzakonshme, gjithsesi më duket sikur sot pikërisht ky takim na lidh në të sotmen, në atë që është edhe legjenda e kësaj kalaje, legjenda e atyre që përpiqeshin të ndërtonin ditën dhe atyre që e prishte natën.

Ishin vëllezër dhe ajo legjendë në fakt ka reflektuar në vazhdimësi me jetën shqiptare shekull pas shekulli, edhe në letra të shkruara nga mendjet e mëdha që nga Fishta te Konica, të cilët e kanë pasur të pamundur mos ta lënë edhe me shkrim që halli më i madh i shqiptarit i vjen nga shqiptari. Lajmi i mirë për ne është që shumica e shqiptarëve tanimë është shumë e qartë dhe e vendosur për të çuar deri në fund këtë mision historik që fati e ka sjellë në dorën tonë dhe detyra jonë është që ta çojmë deri në fund”, u shpreh Rama.

ME TE LEXUARAT