Temperaturat ekstreme/ Vapa rrit rrezikun për zemrën, mjekët apelojnë kujdes: Shmangni ekspozimin në diell

Sezoni veror ka nisur me temperatura të larta, ndërsa parashikimet meteorologjike tregojnë se muajt në vijim do të karakterizohen nga mot i nxehtë dhe i thatë. Kjo situatë mund të ndikojë në përkeqësimin e disa patologjive, veçanërisht te pacientët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.
Mjekët theksojnë se konsultat e rregullta me specialistin dhe ndjekja korrekte e trajtimit të përshkruar mbeten elementët kryesorë për të shmangur komplikacionet gjatë periudhës së verës.
Ekspertët e shëndetësisë apelojnë që, në kushtet e temperaturave të larta, e gjithë popullata të tregojë kujdes. Megjithatë, më të rrezikuar mbeten të moshuarit, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël.
Ata rekomandojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut, përdorimin e veshjeve të lehta dhe konsumimin e sa më shumë lëngjeve për të parandaluar dehidratimin dhe problemet që mund të shkaktojë vapa në organizëm.


