Madonna “vë në shënjestër” vilën 30 milionë dollarëshe të Angelina Jolie në Hollywood (FOTO)

Showbiz

Madonna “vë në shënjestër” vilën 30

Vila luksoze e Angelina Jolie në Kaliforni ka tërhequr vëmendjen e Madonna-s, e cila mund të rikthehet së shpejti në Los Angeles. Këngëtarja, e cila festoi së fundmi 68-vjetorin në Greqi, ka shfaqur interes për pronën e aktores, edhe pse aktualisht nuk ndodhej në Los Angeles për ta vizituar nga afër.

Sipas New York Post, agjentët imobiliarë kanë organizuar për Madonna-n një tur virtual të pronës, e cila është nxjerrë në shitje për 29.85 milionë dollarë. “Njerëzit e Madonna-s telefonuan dhe u organizua një vizitë”, tha një burim, duke e përshkruar zonën si një komunitet të mrekullueshëm në kodrat mbi Hollywood, ku jetojnë shumë personazhe të njohura.

Jolie e nxori për herë të parë vilën në shitje në maj. Aktorja e bleu pronën në qershor 2017 për 24.5 milionë dollarë, rreth nëntë muaj pasi kishte paraqitur kërkesën për divorc nga Brad Pitt. Ajo kishte deklaruar më herët se do të largohej nga Los Angeles pasi fëmijët e saj të bëheshin madhorë, ndërsa binjakët Knox dhe Vivienne mbushën 18 vjeç muajin e kaluar.

Prona ka një histori të veçantë në Hollywood. Ajo i përkiste producentit dhe regjisorit të njohur Cecil B. DeMille, i cili e bleu në vitin 1916.

Në vitin 1920, ai zgjeroi pronën duke blerë edhe banesën ngjitur, ku dikur kishte jetuar Charlie Chaplin. Sot, prona përfshin një vilë të stilit Beaux Arts, një pishinë, një shtëpi për mysafirë që mund të përdoret edhe si studio dhe një garazh me portë sigurie.

Vila kryesore, e ndërtuar në vitin 1913, ka pesë dhoma gjumi dhe përmban kuzhinë të pajisur me standarde profesionale, një dhomë ngrënieje me veshje prej druri mahon, një sallon të madh, dritare me harqe dhe bibliotekë.

Suita kryesore përfshin oxhak mermeri, një hapësirë ndenjeje, banjë në stil spa, dhomë veshjeje dhe garderobë. E gjithë prona është e rrethuar nga pemë shekullore dhe ofron pamje drejt kodrave të Hollywood-it dhe Observatorit Griffith.

 

ME TE LEXUARAT