“Rama ka marrë fund”/ Berisha: S’ka ‘diell’, ‘besë’ e ‘pasqyrë’ që ta shpëtojë, për PS-në është kthyer në barrë si vetë Lubia

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se protesta e qytetarëve e ka çuar kryeministrin Edi Rama në pikën e tij më të dobët dhe se ai tashmë është kthyer në një barrë të keqe për PS-në sa vetë Belinda Balluku.
Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar që po mbahet, kryedemokrati theksoi se Kryeministri Rama është kthyer në njeriun më të urryer jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe Evropë.
Kjo protestë i ka bërë kombit një shërbim të çmuar falë kësaj proteste, Rama është sot njeriu më i urryer i Shqipërisë, i Ballkanit dhe ndoshta mbarë Evropës. Kryeministri më i damkosur dhe i diskretituar ndërkombëtarisht. Protesta e ka çuar Ramën në overdozë dëshpërimi, që dallohet në çdo dalje publike dhe fjali që nxjerr”, tha Berisha.
Sipas tij, protesta e ka plagosur atë dhe sondazhet tani e nxjerrin me shumë pikë në rënie. Kryedemokrati theksoi gjithashtu se Rama është kthyer në një barrë të keqe për PS, më keq sesa ish vartësja e tij, Belinda Balluku.
“Protesta e ka zhytur në dëshpërim. Protesta e ka plagosur atë për vdekje në pikën e tij më të dobët, sondazhet e kanë nxjerrë në 29 pikë në rënie në pikatë, kjo do të thotë me statistikë se Rama ka marrë fund. Po zhytet në një spirale pa kthim mbrapa.
Nuk ka diell, besë, satelit e pasqyrë që ta shpëtojë. Për të parën herë Rama del në pikë më poshtë se partia e krimit, kjo do të thotë se është kthyer për PS një barrë e keqe sa vetë Lubia. Dorëheqja do të ishte skenari më pak i dëmshëm për të”, shtoi ai.
Ai përmendi edhe librin “Albanian Files”, duke theksuar se me këtë kryeministri tregoi se e trajton Shqipërinë si “çifligun e tij personal”. U ndal gjithashtu edhe tek problematikat me Aeroportin e Vlorës, teksa tha:
“E trajton Shqipërinë si çifligun e tij personal. Këto janë 523 arsye për ta çuar Ramën në qeli dhe vetëm në qeli. Më e fundit, 500 milionë euro gjobë rrezikojnë shqiptarët të paguajnë për Aeroportin e Vlorës prej ndërhyrjes së njëanshme që bën Rama dhe Lubi balluku, të cilët mbrohen me 83 mandatet e krimit.”


