Zonat e mbrojtura/ Rriten tarifat për vizitorët dhe bizneset, hyrja në parqe 4-fishohet, rriten pagesat për kampingjet

Tarifat për vizitat në parqet e mbrojtura do të rriten. Bazuar në parimin ‘përdoruesi paguan’, Ministria e Mjedisit propozon që tarifat për çdo vizitë në zonat e mbrojtura do të kushtojë 4 herë më shumë. Në projektvendim thuhet se hyrja në parqe te menaxhuara në këmbë ose me biçikletë nga vizitorët, do të ketë tarifë 200 lekë në ditë nga 50 lekë aktualisht.
Gjithashtu në ndryshimet e propozuara, parashikohet që të shtrenjtohen gati 5 herë tarifat e kampingut brenda zonave të mbrojtura. Për të ngritur një çadër deri në 3 persona tarifa rritet nga 150 në 700 lekë në ditë, ndërsa për çadrat mbi 4 persona nga 300 lekë që u caktua në vendimin e 2020-ës, në 1,000 lekë. Rulota, e cila aktualisht tarifohet me 500 lekë në ditë, në projektvendim propozohet me 1,500 deri në 2,500 lekë në ditë. Për barakat prej druri tarifa shkon nga 1,000 në 3,000 lekë në ditë.
Gjithashtu edhe bizneset që përdorin sipërfaqe në zonat e mbrojtura (i kanw marrw me qira) do të paguajnë më shumë. Për bizneset si bare, restorante dhe hotele, tarifa rritet nga 500 lekë metri katror në 800–1,000 lekë për metër katror në vit. Për qendrat dhe komplekset e pushimit, kurimit dhe turizmit, tarifa kalon nga 800 në 1,200–1,500 lekë/m² në vit.
Edhe aktivitetet si shpimet për ujë, gaz dhe naftë, ndërtimi i tubacioneve, linjave të tensionit të lartë, aktivitetet hidrokarbure, gjeologjike dhe minerare do të tarifohen me 2,000–3,000 lekë/m² në vit, nga 1,000 lekë që ishte ne vendimin e 2020-ës.
Ndryshimet prekin edhe shfrytëzimin e disa produkteve të zonave të mbrojtura.
Mbledhja e bimëve mjekësore për qëllime tregtare rritet nga 150 në 250–300 lekë për kilogram. Për frutat, farat dhe sythat tarifa kalon nga 800 në 1,000–1,200 lekë për kuintal, ndërsa për kërpudhat nga 5,000 në 8,000–10,000 lekë për kuintal. Tarifa për boçet rritet nga 450 në 700 lekë për kuintal.
Edhe turizmi i aventurës do të ketë tarifa më të larta nëse bëhet brenda zonave të mbrojtura. Në vendimin e vitit 2020, aktivitetet e lejuara ekoturistike, çlodhëse, argëtuese dhe sportive kishin një tarifë të përgjithshme prej 1,300 lekësh në ditë për person. Në projektvendimin e ri përcaktohen veçmas 300 lekë për hiking, 300 lekë për kayaking dhe 350 lekë për rafting, ndërsa për aktivitete të tjera ekoturistike mbetet tarifa 1,300 lekë në ditë për person.
Sipas relacionit, tarifat nuk janë përditësuar që prej miratimit të vendimit në vitin 2020 dhe tashmë nuk pasqyrojnë më zhvillimet ekonomike, kostot reale të administrimit, rritjen e fluksit turistik dhe diversifikimin e aktiviteteve që zhvillohen në zonat e mbrojtura.
“Nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet krijimi i një sistemi tarifor më të qartë, transparent dhe të qëndrueshëm, që mbështet ruajtjen e biodiversitetit, përmirësimin e shërbimeve ndaj vizitorëve dhe sigurimin e burimeve financiare të nevojshme për administrimin afatgjatë të zonave të mbrojtura.
Gjithashtu, diferencimi i tarifave sipas llojit të aktivitetit krijon një sistem më të drejtë, ku aktivitetet me ndikim ose përfitim më të madh ekonomik kontribuojnë proporcionalisht më shumë në kostot e menaxhimit të zonës së mbrojtur”, thuhet nw relacion.
Të ardhurat e mbledhura nga tarifat do të përdoren për nevoja të lidhura me administrimin e zonave të mbrojtura. Mes tyre përfshihen monitorimi dhe ruajtja e biodiversitetit, mirëmbajtja e infrastrukturës, përmirësimi i shërbimeve për vizitorët, pajisjet e komunikimit dhe transportit, si dhe përmirësimi i kushteve të punës dhe aktivitetet në terren.


