Rama me fituesit e Startup Albania në Elbasan: Të rinjtë shqiptarë mund të paguhen më mirë pa emigruar

Politikë

Rama me fituesit e Startup Albania në Elbasan: Të rinjtë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte në Elbasan një takim me fituesit e programit Startup Albania 2025, si edhe me aplikantët për edicionin e vitit 2026.

Gjatë aktivitetit të mbajtur në ambientet e rikonstruktuara të shkollës “Onufri”, Rama vlerësoi rolin e teknologjisë në krijimin e një brezi të ri sipërmarrësish, duke theksuar se të rinjtë shqiptarë kanë sot mundësinë të punojnë për tregun global pa u larguar nga vendi.

Sipas kreut të qeverisë, mjafton një kompjuter dhe lidhja me internetin që të rinjtë të mund të punojnë nga Shqipëria dhe të sigurojnë të ardhura më të larta sesa do të përfitonin duke emigruar.

“Cilido dhe cilado ndër më të rinjtë në Shqipëri mund të punojnë në çdo vend të botës pa lëvizur nga shtëpia e tyre, mjafton që të kenë një kompjuter dhe internet. Jo vetëm kaq, por mund të paguhen edhe më mirë sesa të largoheshin. Nuk është më për të qeshur, sepse është një realitet që zgjerohet me shpejtësi duke integruar në perimetrin e vetë më shumë të rinj dhe të reja, falë faktit që teknologjia u vë në dispozicion mjete që ata i kuptojnë dhe zotërojnë më shpejt sesa të tjerët.

Trefishimi i numrit të aplikantëve për programin Startup, që ka nisur disa vite më parë dhe tanimë është një program i besueshëm dhe ka tërhequr një interesim të madh dhe një numër aplikimesh rekord, 1219 aplikime për mbështetje financiare që shkon nga 15 mijë euro në 45 mijë euro dhe për projektet e konsoliduara deri në 90 mijë euro, nuk janë kredi por grant për ata që paraqiten me ide interesante dhe potencial për të krijuar një zgjidhje, një kompani të vogël dhe pastaj të gjenerojnë një kompani të madhe.

Jemi sot në Elbasan dhe ky qytet ka edhe një potencial tjetër, ka shkollën e vet profesionale me 1400 nxënës dhe përbën një rezervuar jashtëzakonisht të konsiderueshëm për një qytet si Elbasani për të rritur krijesa të reja të botës së teknologjisë, për të kthyer në hapësira shërbimesh dhe punësimi ide të cilat, nëse nuk do të ishte teknologjia, do të ishin utopi të pakapshme.

Teknologjia ka rritur shpejtësinë e zhvillimit nga epoka të tëra zhvillimi linear; bota sot ka kaluar në zhvillim eksponencial që është i paperceptueshëm. Teknologjia sot po shkon në pikën që çfarë është e re në fillim të javës është e vjetër në fund të javës. Ne do rrisim edhe volumin e financimit nga ky zhvillim teknologjik, me kusht që të ketë aplikime”, u shpreh Rama.

ME TE LEXUARAT