Vodhi një shumë parash në një farmaci në Durrës, arrestohet pas disa orësh 45-vjeçari me precedent penal

Një 45-vjeçar me precedent të theksuar në fushën e vjedhjeve është arrestuar në Durrës, pasi dyshohet se ka grabitur me forcë një farmaci, ndërsa ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale.
Operacioni i koduar “Reagimi” u finalizua nga Policia e Durrësit pas kallëzimit të një punonjëseje farmacie në lagjen nr. 12, e cila raportoi se një person kishte marrë me forcë një shumë parash nga ambientet e biznesit.
Brenda pak orësh nga ngjarja, uniformat blu identifikuan dhe vunë në pranga shtetasin Gentian Gjyzel, 45 vjeç, banues në Durrës.
Njoftimi
Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Reagimi”, për vënien në pranga të një shtetasi me precedent të theksuar në fushën e vjedhjeve.
Mbrëmë, vodhi me forcë, një shumë parash, në një farmaci, arrestohet pak orë pas krimit, 45-vjeçari, Gentian Gjyzel.
Ai ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për vjedhje.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një shtetaseje, se mbrëmë, në farmacinë ku punonte, në lagjen nr. 12, një shtetas kishte vjedhur me forcë, një shumë parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin e koduar “Reagimi”, gjatë të cilit u kap pak orë pas kryerjes së krimit, dhe u vu në pranga, autori i dyshuar, shtetasi G. Gj., 45 vjeç, banues në Durrës.
45-vjeçari, me precedent kriminal të theksuar në fushën e vjedhjeve, rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për të njëjtin krim.
Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi G. Gj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.