PS mbledh sot Grupin Parlamentar, në fokus integrimi në BE dhe investimi në Zvërnec

Partia Socialiste mbledh sot, më 20 qershor, Grupin e saj Parlamentar në një takim të zgjeruar, ku në qendër të diskutimeve do të jenë zhvillimet më të fundit politike dhe organizimi i punës së grupit për periudhën në vijim.
Mbledhja është planifikuar të zhvillohet në “Pallatin e Brigadave”, duke nisur nga ora 10:00. Takimin do ta çelë kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndërsa më pas do t’i drejtohet të pranishmëve kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sipas axhendës së parashikuar, një pjesë e rëndësishme e diskutimeve do t’i kushtohet zhvillimeve politike të ditëve të fundit, si edhe koordinimit të punës së mazhorancës në Kuvend.
Gjatë mbledhjes do të prezantohen gjithashtu konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, ecuria e negociatave për anëtarësim dhe paketa e ligjeve që lidhen me procesin e integrimit europian.
Në fokus pritet të jenë edhe procedurat e ndjekura për investimin në Zvërnec, interesimi për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit, si dhe progresi i Reformës Administrative-Territoriale.
Rendi i ditës përfshin edhe raportimin mbi detyrat e lëna nga mbledhja e kaluar, si dhe vlerësimin e performancës së deputetëve të Grupit Parlamentar. Për të garantuar efikasitetin e takimit, është përcaktuar që ndërhyrjet dhe diskutimet për secilën pikë të axhendës të mos zgjasin më shumë se dy minuta për çdo folës.
Agjenda e mbledhjes së Grupit të PS:
Hapja e mbledhjes nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla.
• Fjala e Kryeministrit, Kryetarit të PSSH, Edi Rama.
• Informim mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit. Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës
• Informim mbi paketën e ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës
• Informim mbi procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec dhe interesin e shprehur për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit.
Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës
• Informim mbi ecurinë e Reformës Administrative Territoriale. Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës
• Informim mbi detyrat e lëna nga mbledhja e kaluar dhe performancën e anëtarëve të Grupit Parlamentar.
Pyetje / diskutime jo më shumë se 2 minuta për çdo folës


