Zbardhen detaje nga tragjedia ku humbën jetën dy të miturat në Tale, vija bregdetare nuk kishte roje sigurie

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike e cila ka tronditur bregdetin e Tales paraditen e kësaj të premteje, ku dy vajza të mitura, përkatësisht 9 dhe 11 vjeçe, kanë humbur jetën pasi janë mbytur në det.
Ngjarja e rëndë ka ngritur sërish alarmin për gjendjen e sigurisë në plazhet publike të vendit.
Pavarësisht se bëhet fjalë për një segment mjaft të frekuentuar nga pushuesit gjatë sezonit veror, nga informacionet paraprake rezulton se në zonën ku ndodhi mbytja nuk ka pasur asnjë vrojtues plazhi në detyrë.
Mungesa e personelit të kualifikuar për mbikëqyrjen e vijës bregdetare, edhe në hapësirat publike, po shihet si një faktor kritik që rrezikon jetën e qytetarëve.
Kjo tragjedi ka shkaktuar zemërim dhe reagime të ashpra, duke sjellë në vëmendje nevojën urgjente për ndërhyrjen e autoriteteve për garantimin e standardeve të sigurisë në të gjitha zonat e plazhit.


