"Kjo protestë lindi nga zemra e një populli që ka duruar gjatë...", mesazhi i fortë që po shpërndahet në rrjet

Trending

"Kjo protestë lindi nga zemra e një populli që ka duruar

Një mesazh i fortë me mesazhe lidhur me kauzat e protestes se nisur kunder invetimi privat ne Zvernec, shperndahet masivisht me vizionin qe kjo levizje te sherbeje si nje moment kthese per vendin ne te gjitha aspektet:  

Ne, të rinjtë shqiptarë, i drejtohemi sot mediave ndërkombëtare dhe opinionit botëror me një mesazh të qartë, të ndershëm dhe të përbashkët. Kjo protestë nuk është kundër askujt. Nuk është kundër investitorëve të huaj. Nuk është kundër investimit në Zvërnec apo kudo tjeter, pra nuk është kundër zhvillimit. Ata që mundohen ta transformojne thelbin e kësaj lëvizjeje në emra të huaj apo interesa gjeopolitike, nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë, se çfarë po ndodh vërtet në Shqipëri.

Kjo protestë lindi nga zemra e një populli që ka duruar gjatë. Nuk lindi nga një video, nuk lindi nga një projekt i vetëm dhe nuk lindi nga manipulimi i askujt. Lindi sepse një brez i tërë shqiptarësh u rrit duke parë vendin e tij të shërbehej pa u pyetur kurrë. Lindi sepse ligjet shkruhen e ndryshohen pas dyerve të mbyllura, pa debat, pa transparencë, pa llogari e për më tepër, pa profesionalitet. Lindi sepse çdo ditë qytetari i thjeshtë takohet me ligjin, ndërkohë që i fuqishmi nuk e njeh atë. Dhuna e paligjshme ndaj protestuesve nga roje private, ndërkohë që policia e shtetit qëndronte pasive, nuk qe shkaku i kësaj lëvizjeje. Ishte pika e fundit e një gote që kishte vite që mbushej.

"Kjo protestë lindi nga zemra e një populli që ka duruar

Ne nuk jemi kundër zhvillimit. Kjo duhet thënë qartë para botës dhe para qeverisë sonë, e cila me qëllim mundohet ta paraqesë këtë protestë si pengesë ndaj progresit ekonomik. E kundërta është e vërtetë. Ne duam zhvillim. Duam turizëm, duam investime, duam vende pune. Por duam zhvillim me rregulla, me dritë dhe me dinjitet. Duam transparencë në çdo kontratë publike. Duam plane të qarta ku shihet çfarë fiton Shqipëria dhe çfarë fiton investitori. Duam respektim të pronës private të qytetarëve. Duam studime mjedisore reale, jo formale. Çdo vend serioz demokratik në botë i kërkon të njëjtat gjëra investitorëve të huaj. Ne po kërkojmë vetëm atë që është normale, jo atë që është e pamundur. 

Prindërit tanë dhe ne bashkë me ta kemi vite që presim. Kemi pritur rrugë që nuk u ndërtuan kurrë. Kemi qëndruar orë pas ore në trafik mbi asfalt të degraduar, mes kantieresh pa fund e premtimesh boshe te pambajtura. Nuk kemi dalë kundër betonit dhe vinçave, kemi dalë kundër boshllëkut. Sepse duam ndërtim, por ndërtim me plan, me vizion dhe me respekt. Duam rrugë që lidhin fshatrat me qytetet. Duam gjelbërim që i jep frymë çdo lagje. Duam objekte të larta dhe të ulëta, por me rend urban, me estetikë, me respekt për hapësirat publike. Nuk duam të preken arbitrarisht elementet identitare të qyteteve tona, sepse ato nuk i takojnë asnjë qeverie, i takojnë gjeneratave.

Duam shëndetësi që shëron, jo që kërkon. Jemi lodhur të hyjmë në spitale me duart bosh, me zarf e me kontakte, si të lypesh te dera e dikujt tjetër, ndërkohë që jemi pikërisht ne paguesit/të zotët e asaj dere. Duam të rrijmë në radhë duke ditur, se kur del radha jonë, do të marrim trajtimin që e meritojmë si qytetarë, jo atë që kemi mundur ta blejmë. Nuk duam të presim pa fund nëpër korridore gjykatash e ministrie, për shërbime që na takojnë me ligj. Duam të trokasim në çdo derë institucioni si njerëz me të drejta, jo si nënshtetas me favor. Ne paguajmë taksat tona. Dhe kemi të drejtë të shohim shtetin tonë, të vërtetë, funksional dhe të drejtë.

Toka dhe natyra e Shqipërisë nuk janë pasuri e kësaj qeverie, e atyre që kanë ikur dhe as e asaj që do të vijë. Janë trashëgimi e fëmijëve tanë dhe e gjeneratave pas nesh. Malet, bregdeti, lagunat dhe biodiversiteti i tyre nuk kanë çmim, dhe sapo humbasin, nuk kthehen kurrë. Asnjë vlerë investimi nuk blen atë që natyrës i duhen shekuj ta krijojë. Ne nuk po mbrojmë vetëm një zonë bregdetare. Po mbrojmë parimin e shenjtë se pasuritë natyrore të Shqipërisë i takojnë të gjithë shqiptarëve, të sotmëve dhe të nesërmëve, dhe askush, pa dëgjuar popullin, nuk ka të drejtë t'i disponojë.

Qeveria jonë thotë se po manipulohemi. Thotë se jemi vegël e forcave të jashtme, e partive politike, e interesave të huaja. Këtë e themi me tërë qartësi: askush nuk flet për ne. Jemi zëri ynë. Jemi brez i rritur me informacion të lirë, me mundësinë të krahasojmë se si qeveriset Shqipëria dhe si qeveriset Europa. Nuk na duhen udhëzues. Na duhet llogaridhënie. Dhe refuzimi për të dhënë llogari nuk është fuqi, është frikë. Nuk jemi as të djathtë e as të majtë. Nuk jemi të Ramës e as të Berishës. Jemi shqiptarë që duan shtet, shtet të vërtetë, jo fasadë.

Mediave kombëtare dhe ndërkombëtare u themi: mos e deformoni këtë lëvizje. Ajo që po ndodh në Shqipëri nuk është reagim ndaj një emri apo një projekti të vetëm. Është zgjimi i një brezi që vendosi të mos largohet nga vendi i tij. Është vendosja e urës ndërmjet qytetarit dhe shtetit, një marrëdhënie që është gërryer me vite qeverisje të keqe, korrupsion sistemik dhe arrogancë institucionale. Investitorët ndërkombëtarë janë të mirëpritur në Shqipëri, por me kushtet që Europa u kërkon të gjithëve dhe me të njëjtat kushte duam tu japim dhe garanci: ligje të qëndrueshme, transparencë, studime mjedisore të pavarura dhe respektim të pronës e të komuniteteve lokale. Këto nuk janë kërkesa antiamerikane. Janë standardet themelore të çdo demokracie.

Ne nuk kemi lider. Nuk kemi parti. Nuk kemi financues. Kemi diçka që është më e fortë se secila prej tyre: të vërtetën dhe vendosmërinë. Jemi brez i ri, por kujtesa jonë është e gjatë. Dimë nga kemi ardhur dhe e dimë qartë ku duam të shkojmë; drejt një Shqipërie me institucione të forta, me drejtësi reale, me natyrë të mbrojtur dhe me zhvillim që u shërben shqiptarëve, jo vetëm të paktëve. Kjo nuk është utopi. Është e drejta jonë. Dhe do të jemi këtu derisa ky mesazh të dëgjohet nga të gjithë.

ME TE LEXUARAT