Kaos në burgun grek, të dënuarit i vendosin flakën qelisë, plagosen 7 persona

Një incident i rëndë është regjistruar në burgun e Agia Chania në Kretë, Greqi, ku katër të burgosur i vunë flakën qelisë së tyre në shenjë revolte pasi kërkesa për transferim në një krah tjetër të institucionit u refuzua.
Sipas drejtorit të burgut, Charalambos Kiomourtzis, ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të së premtes, gjatë kohës së numërimit të të burgosurve. Pas refuzimit për momentin të kërkesës, të burgosurit dogjën një dyshek, duke shkaktuar tym të dendur brenda qelisë.
Gardianët ndërhynë menjëherë, hapën qelinë dhe shuan zjarrin me fikëse, duke shmangur përhapjen e flakëve në qeli të tjera. Katër të burgosurit u dërguan në spital për trajtim dhe më pas u kthyen në institucion, ndërsa tre gardianë u trajtuan për thithje tymi dhe u liruan pas disa orësh.
Autoritetet kanë nisur procedura penale dhe disiplinore ndaj të burgosurve, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e stafit të burgut shmangu pasoja më të rënda.


