Shkatërrohet skema e pastrimit të parave nga droga, sekuestrohen pasuri mbi 1 milion euro

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi më 06.07 se, në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare të sigurisë Europol dhe Eurojust, ka sekuestruar asete në vlerë mbi një milion euro, të lidhura me trafikun e drogës.
Operacioni i fshehtë, sipas Prokurorisë, është zhvilluar pesë ditë më parë, me përfshirjen edhe të autoriteteve italiane dhe franceze, në kuadër të një hetimi për pastrimin transnacional të parave të përfituara nga trafikimi i drogës.
“Bazuar në analizat e materialit të sekuestruar nga autoritetet italiane, u bë e mundur identifikimi i llogarive bankare, interesave të biznesit, pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë në pronësi të një çifti të martuar, shtetas të Kosovës, që banojnë në Itali”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë Speciale, çifti kosovar, i cili është nën hetim penal në Itali me dyshimin për pastrim parash, u arrestua në Francë në shtator të vitit 2025, ku policia zbuloi më shumë se 56 kilogramë shufra ari dhe 2.5 milionë euro të fshehura brenda një ndarjeje të modifikuar të dy automjeteve.

Në shtator të po atij viti u sekuestruan edhe të ardhura të tjera nga veprimtaria kriminale, me një vlerë që kalonte 30 milionë euro.
“Këto asete ishin të lidhura me një rrjet kriminal transnacional të angazhuar në pastrimin e të ardhurave të gjeneruara nga trafikimi i drogës në Francë, nga individë të lidhur me grupe kriminale në Francë.”
Sipas autoriteteve, “konvertimi i parave të gatshme në ar shërbeu për një qëllim të dyfishtë: fshehjen e origjinës së paligjshme të të ardhurave kriminale dhe lehtësimin e fshehjes dhe transportit të tyre ndërkufitar, veçanërisht në Kosovë, Turqi dhe Marok”.
Në fund të vitit të kaluar, autoritetet italiane dhe franceze të sigurisë njoftuan se kishin shkatërruar një rrjet të udhëhequr nga shtetas sirianë, për të cilët u tha se pastronin para të përfituara nga trafikimi i drogës në Itali dhe Francë, duke i shndërruar paratë e gatshme në shufra ari.
Edhe Italia, në fund të vitit 2025, arrestoi pesë persona dhe sekuestroi asete në vlerë prej 17 milionë eurosh.


