Pse Natalie Harp është gjithmonë pranë Trump? Rriten pyetjet dhe polemikat

Ekipi i mediave sociale të Shtëpisë së Bardhë ka sulmuar ashpër një gazetar që komentoi praninë e asistentes Natalie Harp pranë presidentit Donald Trump gjatë vizitës së tij në Irlandë.
Gazetari i pavarur Aaron Rupar kishte publikuar në rrjetin X një postim ku shkruante: “Shikoni kush ka shkuar në Irlandë”, duke iu referuar Harp dhe pranisë së saj të shpeshtë pranë presidentit.
Në përgjigje, llogaria “Rapid Response 47”, e përdorur shpesh nga Shtëpia e Bardhë për të kritikuar gazetarët që administrata i konsideron të padrejtë ndaj Trump, e quajti Rupar “të sëmurë, delirant dhe shqetësues”.
Rupar iu përgjigj me ironi, duke thënë se e kupton që mosha e tij, rreth të 40-ave, e bën “shumë të vjetër për presidentin”, por se është në paqe me këtë fakt.
Vëmendja ndaj Natalie Harp është rritur gjatë javëve të fundit për shkak të rolit të saj pranë Trump. Gjatë vizitës në Irlandë, ajo u pa në rreshtin e parë të delegacionit amerikan dhe mori pjesë në pritjen e përfaqësuesve të shtetit irlandez, vetëm pak metra larg presidentit. Në mungesë të Melania Trump, prania e saj u vu edhe më shumë në dukje.
Harp, 35 vjeçe, ka qenë pjesë e stafit të Trump dhe mediat amerikane kanë raportuar për afërsinë e saj të veçantë me presidentin. Sipas disa raportimeve, ajo është quajtur “printerja njerëzore”, pasi mbante me vete një printer portativ për të shtypur artikujt që flisnin për Trump.
Në të kaluarën, Harp i ka dërguar presidentit mesazhe ku shprehte mbështetje të fortë dhe dashuri të pakushtëzuar. Në një rast, sipas raportimeve, ajo është futur në bagazhin e një automjeti të eskortës së presidentit për ta ndjekur atë. Në një tjetër video është parë duke vrapuar për të qëndruar pranë Trump, ndërsa ai udhëtonte me një automjet të vogël drejt fushës së golfit.
Sipas Washington Post, Harp ishte gjithashtu mes bashkëpunëtorëve që kanë marrë shuma të mëdha parash në dorë si dhuratë nga presidenti.
Shtëpia e Bardhë ka mohuar çdo mundësi për një marrëdhënie të papërshtatshme mes Trump dhe asistentes. Republikanët kanë akuzuar mediat për një vëmendje të tepruar ndaj çështjes, ndërsa demokratët e kanë përdorur rastin për të kritikuar presidentin dhe administratën e tij.
Ndërkohë, prania e vazhdueshme e Harp pranë Trump ka nxitur edhe pyetje të tjera, përfshirë atë se si e sheh situatën zonja e parë, Melania Trump.


