Rrugëtimi drejt dijes nis me mbështetje, One Albania pranë 100 fëmijëve pa kujdes prindëror të Fshatit SOS

Sot, oborret e shkollave u mbushën sërish me zëra fëmijësh. Këtë ditë të veçantë, fëmijët pa kujdes prindëror të fshatit SOS e nisin me çantat plot dhe me etjen për dije që i çon gjithmonë përpara, falë fushatës “Çanta plot, zemra plot”. Këtë vit, nismës iu bashkua edhe One Albania, duke kontribuar për sigurimin e paketave shkollore për 100 fëmijë pa kujdes prindëror të Fshatit SOS.
“Çdo fillim viti shkollor sjell me vete pritshmëri, ëndrra dhe shumë dëshirë për të mësuar. Ne duam që çdo fëmijë ta nisë këtë rrugëtim me etje për dije dhe me besimin se mund të arrijë larg. Për One Albania është kënaqësi të jemi sot pranë këtyre fëmijëve dhe të japim kontributin tonë në një rrugë kaq të rëndësishme për të ardhmen e tyre,” u shpreh Drejtoresha e Çështjeve të Korporatës në One Albania, Jonilda Filipi.
Fushata “Çanta plot, zemra plot” synon të mbështesë fëmijët pa kujdes prindëror, duke u siguruar çantat dhe mjetet arsimore që u nevojiten për ta nisur vitin e ri shkollor me gjithçka që u nevojitet.
“Çdo paketë e shpërndarë është një mënyrë për t’u dhënë fëmijëve pa kujdes prindëror të Fshatit SOS më shumë siguri në hapat e parë të këtij viti. Shkolla hap çdo ditë një dritare të re për fëmijët. Aty zhvillohen aftësitë dhe marrin formë ëndrrat për të ardhmen. Falë mbështetjes së One Albania, ata e nisin sot këtë rrugëtim me mjetet që u duhen dhe, mbi të gjitha, me ndjesinë se kanë njerëz pranë që besojnë tek ata,” thotë Marsiola Saraci, Drejtoresha e Ngritjes së Fondeve në SOS, Fshatrat e Fëmijëve në Shqipëri.

Nisja e shkollës është një moment gëzimi dhe një kapitull i ri plot mundësi për çdo fëmijë. Është fillimi i një rrugëtimi të bukur drejt dijes, miqësive të reja, zbulimeve dhe rritjes personale. Për One Albania, mbështetja e fushatës “Çanta plot, zemra plot” është pjesë e angazhimit të vazhdueshm për të qenë pranë komuniteteve dhe për të kontribuar aty ku një ndihmë konkrete mund të krijojë më shumë mundësi për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve