"Në vend të 10 dritave ndizni vetëm 2”, Irani në krizë, por vendos kushte për paqen me SHBA

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani ka paraqitur kërkesat dhe rezervat e tij lidhur me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara gjatë një nisme të re ndërmjetësimi të organizuar në Islamabad, që synon t’i japë fund konfliktit të zgjatur që ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka ndikuar në tregjet globale.
Në një deklaratë zyrtare, ai u shpreh se pala iraniane ka shpjeguar “parimet e saj lidhur me zhvillimet e fundit për armëpushimin dhe përfundimin e plotë të luftës së imponuar ndaj Iranit”.
Një burim diplomatik iranian i ka thënë agjencisë Reuters se Irani nuk do të pranojë “kërkesat maksimaliste” të Shtetet e Bashkuara, duke sinjalizuar se negociatat mbeten të tensionuara dhe pa përparim të qartë.
Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Iranit kanë paralajmëruar se do të kundërpërgjigjen nëse vazhdon bllokada në Ngushticën e Hormuzit, një zonë strategjike për tregtinë globale të naftës.
Në këtë klimë të tensionuar, presidenti Masoud Pezeshkian i ka bërë thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike, duke deklaruar se infrastruktura e vendit po përballet me presion dhe kufizime të rënda. Ai u kërkoi qytetarëve të reduktojnë konsumin, duke thënë simbolikisht: “Në vend të 10 dritave, ndizni vetëm 2”, në mënyrë që të përballohet situata aktuale.


