Zbulohet lokali ku organizoheshin baste sportive në Tiranë, arrestohet administratori 54-vjeçar

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit. Në pranga ka rënë administratori 54-vjeçar i një lokali në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, ku dyshohet se zhvilloheshin baste sportive.
Gjatë kontrollit në ambientet e subjektit, uniformat blu sekuestruan 3 celularë, në të cilët ishin të hapura faqe që shërbenin për vendosjen e basteve.
Sipas policisë, këto pajisje përdoreshin për organizimin dhe administrimin e aktivitetit të paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.


