Problemet shëndetësore ndalin Jon Bon Jovin, koncerti në New York përfundon para kohe

Showbiz

Problemet shëndetësore ndalin Jon Bon Jovin, koncerti në New York

Legjenda e rokut, Jon Bon Jovi, u detyrua të ndërpresë para kohe koncertin e tij në Madison Square Garden në New York, pasi u përball me probleme shëndetësore gjatë performancës.

Artisti 64-vjeçar ishte në koncertin e tetë nga nëntë të planifikuara në kuadër të turneut “Forever Tour”, kur, pasi interpretoi hitin e njohur “Livin’ on a Prayer”, iu drejtua publikut për t’u kërkuar ndjesë dhe për të njoftuar se nuk ishte në gjendje ta vazhdonte koncertin.

“Më vjen keq, po vuaj dhe nuk po ndihem mirë. Mos i hidhni biletat. Do të gjejmë një zgjidhje dhe do të shohim si mund ta ricaktojmë koncertin. Do të më duhet ta lë për sonte”, u tha Bon Jovi fansave, përpara se të largohej nga skena.

Sipas përfaqësuesve të tij, koncerti përfundoi pas rreth 90 minutash. Ata konfirmuan se këngëtari vuante nga sinusiti, gjendje që e detyroi të ndërpriste performancën.

Turneu “Forever Tour” shënon rikthimin e Bon Jovit në skenë pas operacionit në kordat vokale, të cilit iu nënshtrua në vitin 2022. Artisti ka folur shpesh për sfidat me shëndetin e tij, duke theksuar se nuk dëshiron të vazhdojë të performojë nëse nuk arrin standardin që ka vendosur gjatë karrierës së tij.

“Nëse nuk mund të këndoj në nivelin që këndoja dikur, atëherë kam mbaruar”, ishte shprehur ai në një intervistë për “Sunday Times” në vitin 2024.

Megjithatë, në deklaratat e tij më të fundit për revistën “People”, Bon Jovi kishte bërë të ditur se ishte rikuperuar plotësisht nga operacioni, duke pranuar se procesi i rehabilitimit kishte zgjatur më shumë nga sa kishte parashikuar.

Mbetet ende e paqartë se kur do të zhvillohet koncerti i ricaktuar, ndërsa fansat presin një njoftim zyrtar nga organizatorët.

ME TE LEXUARAT