Moti i keq pritet të godasë vendin, Policia e Shtetit apel drejtuesve të mjeteve: Kujdes në qarkullim, shmangni…

Policia e Shtetit ka apeluar për kujdes të shtuar në det dhe në rrugë, për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike të parashikuara nga mesdita e 24 korrikut deri në paraditen e 25 korrikut.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të vogla lundruese dhe mjeteve të peshkimit të shmangin daljet në det, ndërsa qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e sigurisë gjatë lëvizjes.
Policia e Shtetit
Në bazë të parashikimeve për përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike detare dhe atmosferike, Policia e Shtetit njofton se, duke filluar nga mesdita e datës 24.07.2026 deri në paraditen e datës 25.07.2026, mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës dhe Gjirit të Sarandës, në det të hapur dhe përgjatë vijës bregdetare Dhërmi–Himarë–Sarandë, duhet të shmangin daljet në det, për shkak të kushteve të pafavorshme hidrometeorologjike gjatë këtij harku kohor.
Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese duhet të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë përkeqësimin e kushteve të motit dhe të shmangin çdo dalje në det që mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të personave në bord.
Po ashtu, nisur nga parashikimet për përkeqësimin e kushteve atmosferike gjatë ditës së nesërme, Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët, si dhe nga drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, kufijtë e shpejtësisë, distancën e sigurisë dhe duke shmangur manovrat e rrezikshme.
Këmbësorët këshillohen të tregojnë vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në kushtet e reshjeve ose të lagështirës në rrugë.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve të vogla lundruese, mjeteve të peshkimit, si dhe për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të tregojnë kujdes maksimal jo vetëm gjatë këtij harku kohor, por edhe në vijimësi, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës.


