Hetimi tronditës për tragjedinë ajrore/ Dyshohet se piloti rrëzoi qëllimisht Boeing 737, humbin jetën 132 persona

Zbulime të reja nga hetimet e autoriteteve amerikane po hedhin më shumë dritë mbi një nga aksidentet ajrore më tragjike të viteve të fundit, duke ngritur dyshime se rrëzimi i fluturimit 5735 të China Eastern Airlines mund të mos ketë qenë aksidental. Avioni tip Boeing 737 u rrëzua në mars të vitit 2022 në rajonin Guangxi të Kinës, duke marrë jetën e të 132 personave në bord.
Sipas raportimeve, avioni u përplas me një shpejtësi shumë të lartë në një zonë malore, pa dhënë asnjë sinjal emergjence paraprakisht. Të dhënat e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit në SHBA sugjerojnë se një nga pilotët mund të ketë ndërhyrë qëllimisht në komandat e avionit, duke çaktivizuar autopilotin dhe duke shkaktuar një rënie të menjëhershme.
Regjistrimet nga kabina e pilotëve tregojnë gjithashtu për një përplasje të mundshme mes tyre për kontrollin e avionit në momentet e fundit. Në bord ndodheshin tre pilotë — Jang Hongda, Zhang Zhengping dhe Ni Gongtao — fakt që ka shtuar më tej dyshimet dhe paqartësitë rreth rolit të secilit gjatë incidentit.
Nga ana tjetër, autoritetet kineze ende nuk kanë publikuar një raport përfundimtar zyrtar, duke përmendur arsye që lidhen me sigurinë kombëtare dhe stabilitetin social. Kjo mungesë transparence ka nxitur kritika dhe reagime ndërkombëtare, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë vijojnë.


