“Nuk është normale të shkosh në punë ashtu”/ Mila: 72 orë që po më linçojnë online, thirrje për dhunë edhe ndaj vajzës sime

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, u shpreh se nuk është normale që një deputet të futet në Kuvend mes një lumi sharjesh dhe vezësh.
“Unë mendoj se nuk mund të normalizohet dhuna në asnjë lloj aspekti, sepse dhuna nuk ka një ngjyrim partiak apo politik. Nuk mund të themi që ‘nuk të gjen gjë nga veza’, sepse unë po ju them: e kam përjetuar në lëkurën time. Ajo nuk ishte një turmë vetëm me vezë. Ajo ishte një turmë që të merrte përpara me çfarëdo që kishte dhe mund të kryente akte nga më të ndryshmet, të cilat ti nuk i parashikon dot.
Për sa i përket historisë së dhunës, unë po ju them që të mos e bëjmë këtë historinë si ajo shprehja shqiptare: ‘Nuk ka problem, se nuk të ha ai qeni’. ‘Mos ki frikë se nuk të ha’. Nuk është çështja e vezës në vetvete, sepse edhe ky normalizim dhe naivitet që fshihet pas vezës, sinqerisht, është shumë i shëmtuar.
Një përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë të futet në vendin e tij të punës, për të cilin paguhet për ta bërë dhe për ta ushtruar këtë detyrë, dhe të shkojë atje në një lumë sharjesh, në një lumë vezësh, por jo vetëm vezësh, sepse aty janë hedhur gurë, aty është përdorur çdo gjë.
Mënyra e furishme e ardhjes së turmës, unë personalisht e kam përjetuar në lëkurë, pavarësisht se mora masat e mia, por kjo nuk mund të trajtohet si normalitet”, tha Mila.


