Shkrirja e bashkive, zbulohet raporti i PS për Reformën Territorale: 4 skenarë për ndarjen e re

Raporti përfundimtar i Partisë Socialiste për reformën territoriale parashikon katër skenarë mbi mënyrën se si mund të konfigurohet harta e bashkive pas zgjedhjeve të ardhshme lokale, por nuk propozon një numër përfundimtar të njësive të qeverisjes vendore.
Dokumenti prej 357 faqesh nuk përmban asnjë hartë të re administrative apo një numër konkret bashkish të propozuar nga PS.
Në parathënie, bashkëkryetari i komisionit, Arbër Mazniku, argumenton se përse harta e miratuar 12 vjet më parë duhet të rishikohet.
“Shqipëria e sotme nuk ka më të njëjtën shpërndarje të popullsisë dhe të aktivitetit ekonomik që kishte kur u përcaktua ndarja aktuale administrative. Disa zona janë rritur, ndërsa të tjera kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.
Një numër bashkish përballen me vështirësi për të siguruar financa të qëndrueshme, staf të kualifikuar dhe kapacitete të mjaftueshme administrative. Për këtë arsye, harta ekzistuese duhet të vlerësohet në raport me realitetin e ri demografik, ekonomik dhe funksional të vendit”, shprehet Mazniku.
Sipas raportit, katër skenarët e analizuar janë: decentralizimi asimetrik, duke ruajtur numrin aktual të bashkive; bashkime të mëdha të bashkive që ushtrojnë të gjitha funksionet; bashkime të shkallës së mesme me rialokim të funksioneve plotësuese; si dhe një model me bashki të fokusuara vetëm në funksionet bazë.
“Pavarësisht skenarit që do të zgjidhet, analiza identifikon tri prioritete të përbashkëta të reformës:
(i) qartësimin e alokimit të disa funksioneve që formalisht u janë caktuar bashkive, por ushtrohen pjesërisht ose de facto nga nivele të tjera;
(ii) qartësimin e ndarjes së kompetencave në funksionet ku qeverisja qendrore luan rol të rëndësishëm; dhe
(iii) forcimin dhe ridizenjimin e sistemit të barazimit fiskal, pasi diferencat në kapacitetin fiskal vazhdojnë të ndikojnë në zbatimin e funksioneve dhe disa prej tyre mbeten të nënfinancuara”, thuhet në raport.
Një tjetër pikë e rëndësishme e dokumentit lidhet me marrëdhënien mes bashkimit të bashkive dhe autonomisë fiskale.
“Nuk mjafton vetëm të bashkohen bashki, as nuk mjafton vetëm të rriten burimet financiare. Reforma duhet të zgjidhë njëkohësisht problemin e madhësisë, problemin e burimeve dhe problemin e kostos reale të shërbimeve.
Nëse bashkohen dy ose më shumë bashki që kanë të ardhura të ulëta, ekonomi të dobët dhe varësi të lartë nga transfertat, rezultati do të jetë një bashki më e madhe në territor, por jo domosdoshmërisht më e fortë financiarisht. Pra, bashkimi mund të ulë disa kosto administrative, por nuk krijon vetvetiu një bazë të re tatimore”, theksohet në raport.
Sa i përket varësisë nga fondet e qeverisë, Tirana rezulton bashkia më pak e varur, me 22%, e ndjekur nga Vlora dhe Saranda me 25%, si dhe Durrësi me 39%. Në krahun tjetër, bashkitë më të varura nga transfertat qeveritare janë Hasi (105,3%), Pusteci (109,9%) dhe Këlcyra (125,5%).


