Artan Hoxha zbulon diskutimet në takimin e famshëm të Arubës: Dy kulla nga 100 milionë euro, por kryeministri…

Gazetari Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë në studion televizive, teksa ka folur për një takim në Aruba dhe një projekt që, sipas tij, parashikonte ndërtimin e dy kullave në Tiranë. Hoxha tha se tema kryesore e takimit në Aruba lidhej pikërisht me ndërtimin e dy kullave, të cilat, sipas tij, do të kishin një vlerë prej rreth 100 milionë eurosh secila.
“A di ti se cila ka qenë tema kryesore e takimit të Arubës? Do të ndërtoheshin dy kulla. Secila nga ato bënte nga 100 milionë euro dhe kjo ishte tema e Arubës”, deklaroi Hoxha. Sipas gazetarit, projekti nuk u realizua dhe hapësira ku pretendohet se do të ngriheshin kullat përfundoi duke u shndërruar në një lulishte.
“Dhe e di çfarë ka ndodhur sot? U bë lulishte si kjo ullishtja. Meqenëse ata aktorët që ishin aty dhe kryeministri nuk po dinte nga të mbante balancën, e bënë lulishte dhe ne kemi një lulishte në mes Tiranës”, tha ai.
Hoxha ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si, sipas tij, ndryshon destinacioni i hapësirave në Tiranë dhe mënyrën se si merren vendime për territorin.
“Aty ishin dy kulla dhe, në rastin konkret, aty do të ndërtoheshin resorte”, u shpreh gazetari. Ai kritikoi kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si, sipas tij, trajtohet territori, duke përdorur një sërë krahasimesh ironike.
“Po në qoftë se ky kryeministër sillet me territorin e këtij vendi, në një vend bën lulishte e në një vend bën ullishte e në një vend i jep leje për një kullë qindra katkaçe, atëherë, zoti kryeministër, nuk e paskan fajin këta”, deklaroi Hoxha.
Në fund, gazetari e mbylli me një tjetër frazë të fortë, duke ironizuar mënyrën se si, sipas tij, ndryshon destinacioni i territorit: “Sepse ti, kur do, e bën ullishte, kur do, bën lulishte, kur do, e bën aty llogore lufte.”/Ballkan


