Publikohet lista, kush janë deputetët socialistë që “refuzuan” urdhrin e Ramës dhe nuk dolën në terren për “Praninë Besnike”

Pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, kanë nisur në terren edhe takimet e deputetëve të Partisë Socialiste, në kuadër të “Pranisë Besnike”. Kjo nismë sipas kryeministrit, ka si synim dëgjimin e problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve.
Mësohet se një pjesë e mirë e deputetëve kanë nisur nga puna që këtë të premte, teksa në takime kanë marrë pjesë edhe drejtorë të institucioneve shtetërore dhe militantë të Partisë Socialiste.
Por duket se jo të gjithë në Partinë Socialiste e kanë respektuar urdhrin e Ramës, pasi ka pasur deputetë që nuk kanë zhvilluar takime. Mes tyre është ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, e cila nuk ka publikuar asgjë për takimet e mbajtura.
Po ashtu, edhe ish-ministri Fatmir Xhafaj nuk ka publikuar ende se ku do ta aplikojë “Praninë Besnike”. Ndërsa raportohet se Erion Braçe do t’i nisë nga java tjetër takimet në terren në njësinë nr. 5 në Tiranë.
“Prania Besnike” është nisma më e re politike e Partisë Socialiste në Shqipëri. Ajo u prezantua nga kryeministri Edi Rama në shtator të vitit 2026. Përmes saj, qytetarët “mund të paraqesin drejtpërdrejt ankesat, shqetësimet dhe kërkesat e tyre”. Ky projekt shërben si aneks plotësues i dokumentit strategjik të PS-së, të quajtur “Besa”.
Më herët, kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook, bëri me dije se sot, në orën 17:00, ka nisur në të gjithë Shqipërinë “PRANIA BESNIKE” e Partisë Socialiste, e cila, sipas tij, do të zhvillohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend


