Panik nga zjarret në Himarë / Turistët rrëfejnë momentet e tmerrit: Ishte e frikshme, menduam se do digjeshim

Aktualitet

Panik nga zjarret në Himarë / Turistët rrëfejnë

Katër turistë që ndodheshin në Himarë gjatë zjarrit të së premtes në mbrëmje kanë treguar momentet e frikës dhe pasigurisë që përjetuan. Sot ruristet shprehen se situata është qetësuar dhe nuk ndihen më të rrezikuara.

Një prej turisteve tha se në kulmin e zjarrit mendoi se nuk do të mund të largohej nga zona, pasi rrugët ishin bllokuar dhe taksitë nuk mund të arrinin deri tek ato. Ajo falënderoi stafin e hotelit dhe zjarrfikësit për mbështetjen dhe profesionalizmin.

“Dje ishte vërtet shumë e frikshme. Në një moment mendova: ‘Si do të largohemi nga këtu?’. U larguam dhe gjetëm një restorant pranë malit, por nuk mund të vazhdonim më tej. U përpoqa të kontaktoja taksitë, por më thanë se rrugët ishin të bllokuara dhe nuk mund të vinin të na merrnin.

Aty u frikësova shumë, sepse nuk kishim as makinë me qira dhe asnjë mundësi tjetër për t’u larguar. Sot ndihem e sigurt, sepse kam folur me stafin e hotelit. Dua t’i falënderoj, sepse na bënë të ndiheshim të sigurta.

Tani situata duket më e mirë, pasi nuk i shohim më flakët. Jam shumë mirënjohëse edhe për zjarrfikësit. Kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Faleminderit shumë”, tha njëra prej tyre.

“Nuk e mbaj mend saktësisht se kur nisi zjarri dje, por ndodheshim në hostel, jo shumë larg zonës ku kishte rënë zjarri. Ishte e frikshme. Ne qëndruam në hostel. Sot në mëngjes pamë avionët dhe gjithë ndërhyrjen që po bëhej, ndaj ende nuk dukej plotësisht e sigurt. Por tani mendoj se situata është më e mirë”, u shpreh një tjetër.

ME TE LEXUARAT