Kapet i dehur në timon duke transportuar nxënës, e pëson shoferi i furgonit në Belsh

Aktualitet

Kapet i dehur në timon duke transportuar nxënës, e pëson

Një ngjarje shqetësuese është regjistruar këtë të hënë, 5 maj, në zonën e Belsh, ku një drejtues mjeti që transportonte nxënës është konstatuar nga policia duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja erdhi pas një telefonate të bërë nga një qytetar në sallën operative të Cërrik. Menjëherë, shërbimet e Postës së Policisë Belsh, në bashkëpunim me patrullën e Komisariatit Cërrik, organizuan kontrollin dhe ndaluan mjetin tip Mercedes-Benz Sprinter me targa AA198FR, i cili po qarkullonte në aksin Belsh-Gjolene.

Në drejtimin e automjetit ishte shtetasi Sazan Jashar Gjolena, i cili po transportonte 13 nxënës të gjimnazit Sami Frashëri.

Pas verifikimeve, drejtuesi iu nënshtrua testit të alkoolit në dy prova, të cilat rezultuan respektivisht 0.68 mg/l dhe 0.67 mg/l, duke konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur.

Pas konstatimit, 53-vjeçari u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, policia mori masa të menjëhershme për sigurinë e nxënësve, duke organizuar transportimin e tyre me një mjet tjetër të transportit publik. Autoritetet kanë bërë apel për përgjegjësi maksimale nga drejtuesit e mjeteve, sidomos kur transportojnë fëmijë.

 

ME TE LEXUARAT