Fqinjët rrëfejnë atentatin ndaj Viktor Bardhit në Mirditë: Makina blu e ndiqte nga pas, dëgjuam breshërinë

Merren dëshmi nga banorët e zonës të cilët thonë se Viktori ishte një njeri familjar, ndërsa solli edhe detaje nga vendi ku ndodhi atentati.
Viktima ishte nisur për në punë në ujësjellës, por vetëm rreth një kilometër pasi kishte lënë banesën, autorët i zunë pritë në një prej vendeve ku ai shkonte çdo ditë për të furnizuar fshatin me ujë të pijshëm.
Makina tip “Mercedes-Benz” me të cilën udhëtonte Bardhi u bë shoshë nga plumbat, ndërsa 65-vjeçari mbeti i vrarë në vend. Trupi i pajetë u gjet nga banorët e zonës, të cilët njoftuan menjëherë policinë.
Çfarë thonë fqinjët?
Një fqinje tregon se viktima kishte kaluar me makinë rreth orës 08:00, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin drejtim, kishte kaluar edhe një automjet tjetër.
“Në orën tetë ka kaluar Viktori me makinë. Fiks pas tre minutash ka kaluar makina blu që e ndiqte nga mbrapa. I kam parë nga kamerat e sigurisë që kam në shtëpi. Kemi dëgjuar një krismë dhe më pas breshëri”, thotë banorja e zonës.
Sipas saj, ishte djali i saj ai që njoftoi policinë pasi gjeti Viktorin pa shenja jete. Ajo e përshkruan 65-vjeçarin si një njeri familjar dhe punëtor.
“Viktori ishte njeri familjar, që punonte për familjen e vet. Na tmerruan. Tre vrasje për një kohë të shkurtër” thotë ajo.
Edhe një tjetër banor i zonës tregon se viktima shkonte çdo ditë në atë pikë për të hapur ujin e pijshëm.
“Vinte për çdo ditë për të lëshuar ujin. U përshëndetëm sot, por po ta dija që do të ishte përshëndetja e fundit, nuk do ta lija të shkonte të lëshonte ujin”, thotë banori i zonës.
Fqinji ngre shqetësimin edhe për sigurinë në zonë, duke e cilësuar vendin ku ndodhi atentati si një pikë të rrezikshme dhe të përshtatshme për prita.
“Ky nënkalim është shumë i rrezikshëm. E kemi diskutuar edhe pa ndodhur vrasja e Viktorit që ky vend është vend prite. Autorët e kanë ditur destinacionin e tij, e kanë ruajtur dhe më pas i zunë pritë, duke e lënë të vdekur në vend”, thotë ai.


