“Babanë e ka invalid, nuk kam marrëdhënie të mirë me të”, çfarë deklaronte kryeplaku i Lozhanit për Violand Braçellarin

Në dosjen hetimore të Violand Braçellarit, autorit të masakrës në fshatin Lozhan të Maliqit në qytetin e Korçës, dalin detaje të reja, që tregojnë se 43-vjeçari ishte një person problematik në zonë.
Kryeplaku i fshatit, Sabri Braçellari, në deklarimin e dhënë në prokurori gjatë hetimeve të vitit 2015, tregon se nuk ka pasur marrëdhënie të mirë me Violandin dhe familjen e tyre.
Ai shprehej se ata kishin zënë shtëpinë e një tjetër banori, i cili e kishte lënë fshatin për tu transferuar në qytet.
“Unë banoj në Lozhan, i pandehuri banon në Vlorë. Prindërit e tij prej rreth një viti e gjysmë janë kthyer në Lozhan. Ata po banojnë te shtëpia e Eduart Braçellarit, që është djali i Mit’hatit. Banesa e Mit’hatit është 50-70 m larg banesës së Shefqet Braçellarit. Babai i të pandehurit është invalid, e shoqja i shërben. Më parë mbanin bagëti, kishin një çoban të punësuar.
Unë nuk kam patur marrëdhënie të mira me ta. Shtëpitë në atë lagje janë të braktisura dhe kush t’i dojë i shfrytëzon. Në shtator 2015 nuk e kujtoj nëse ka qenë në fshat Violandi. Në muajin shtator 2015, gjatë asaj periudhe, e kam parë shumë rrallë Violandin.
Ditën që erdhi policia, më ka telefonuar inspektori i zonës dhe më kërkoi t’i tregoja shtëpinë e Luan Braçellarit, ku policia qëndroi deri rreth orës 03:00. Isha unë dhe 5-6 policë. I ati ishte brenda, pasi është invalid. Policia kontrolloi në disa banesa. Shefi i antidrogës solli ca mbetje të lëndës narkotike; ishte vetë kur i kontrolloi. Është mbajtur edhe procesverbal, ku unë kam firmosur.
Nuk di të jetë gjetur ndonjë send ngrohës te banesa e Mit’hatit, ku rrinë prindërit e të pandehurit. Shefi i antidrogës, Besnik Qevani, ka kontrolluar 4-5 banesa vetëm në prani të policëve. Unë nuk isha prezent, as babai i të pandehurit. Shefi erdhi aty dhe tha: “Unë gjeta këtë në shtëpinë e Shefqet Braçellarit” (pak mbetje hashashi). Kontrolli u bë 3 ditë rresht. I pandehuri atë ditë nuk ishte në fshat”, shprehej kryeplaku.


