Zvërnec/ Sipërfaqe prej 251 hektarësh, kufijtë dhe shtrirja e zonës ku parashikohet ndërtimi i resortit

Sipërfaqja prej 251 hektarësh ku parashikohet në ngrihet resorti turistik në Zvërnec, shtrihet në një brez pyjor, që ndan Adriatikun me lagunën e Nartës, në gjatësinë e të cilit, gjenden tre plazhe. Përmes kronikës në vijim, Report TV sjellë për herë të parë një shpjegim për kufijtë e saktë dhe çfarë po ndodh aktualisht në zonën e cila prej ditësh po ushqen një debat të fortë në vend
Kjo është gjurma ku është parashikuar të ndërtohet resorti turistik në Zvërnec nga kompania që zotërohet nga dy sipërmarrës të njohur të Katarit, ku sipërmarrëse është edhe familja e Ivanka Trump.
Projekti ende nuk është finalizuar, pasi i pari është rrëzuar nga institucionet shqiptare, e i dyti është kthyer për ndryshime, por sipërfaqja ku ai do të shtrihet nuk ndryshon!
I gjithë territori është rreth 251 hektarë. Në të përfshihet një zonë pyjore me pisha dhe 3 gjire plazhi, Dalan, Porto Novo dhe Hidrovor, të cilën ndodhen në të njëjtin brez ranor, në Zvërnec.
Toka ku do të shtrihet resorti, ndan detin Adriatik me Lagunën e Nartës. Vendndodhja e tij pranë një zonë me ndjeshmëri të lartë mjedisore, siç është Laguna e Nartës, ka ngjallur debate të shumta.
Zona ku resorti do të ndërtohet është peizazh i mbrojtur, i kategorisë së pestës, çka nuk kufizon aktivitetin ekonomik, social apo turistik. Ka një kakofoni mes vendit të saktë ku do të investohet resorti i turizmit elitar, mes Zvërnecit, apo Nartës.
Në fakt, Zvërneci dhe Narta, janë fshatra fqinjë të Vlorës, 3-4 kilometra lart njëri-tjetrit, apo afërsisht 6 km distancë me ishullin e Manastirit. Njëri i njohur për pyllin me pisha, ishullin dhe manastirin e Shën Mërisë, e tjetri i njohur për traditën, kriporet, dhe lidhjen me Lagunën.
Për të mbërritur tre plazhet ku do shtrihet resorti, kalon fillimisht në zonën e Nartës, dhe më pas drejt Zvërnecit. Të dy fshatrat ndajnë të njëjtën Lagunë, ku në pjesët e cekëta të saj, ndalojnë flamingot të kthyer në simbolin e protestave që po mbahen në Tiranë kundër projektit.
Ashtu siç shfaqet në këto pamje, tokat që sipërmarrësit nga bota arabe u kanë blerë pronarëve shqiptarë për investim, kanë para det të hapur, Adriatikun, dhe pas ishullin e Zvërnecit, i cili ndodhet në lagunën e Nartës, por projekti nuk e prek atë!
Pra resorti nuk ka lidhje me Nartën, po do të shtrihet pikërisht në këtë gjurmë të zonës me pisha të Zvërnecit dhe brezit ranor në Adriatik, në anën perëndimore të Lagunës së Nartës. Në veri të saj, ndodhet edhe Aeroporti në ndërtim i Vlorës.
Deri më tani, për investimin që parashikohet të arrijë në 4 miliardë dollare, ka një leje zhvillimore që lejon rrethimin e tokës ku do të ndërtohet resorti, dhe një leje për të realizuar studimin mjedisor, por ende nuk ka një leje ndërtimi.
Historia e investimit të një resorti të madh turistik në jug të Shqipërisë, përballë Greqisë, që turizmin e ka një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit, mori vëmendjen publike pasi në protestat e banorëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në kantier në Zvërnec, disa roje privatë morën zvarrë një protestues dhe e dhunuan, çka solli arrestime, shkarkimin e drejtorit të policisë së Vlorës, dhe hetimin e gjithë zinxhirit komandues.
Ky është imazhi që ofrohet filmuar me dron, nga territori i projektuar për resortin. Sot situata atje është e qetë. Nuk ka më makineri pune. Gardhi i famshëm i përplasjeve pranë Hidrovorit, të cilit pas protestave iu hoqën telat me gjemba, tashmë nuk ekziston më. Sot është hequr.
I vetmi element sigurie në zonën e investimit, me një vendndodhje strategjike në hyrje të Gjirit të Vlorë, është kjo kabinë, pa roje brenda, dhe një rrethim, në pjesën e plazhit të Porto Novës.
Sipërfaqja prej 251 hektarësh ku parashikohet në ngrihet resorti turistik në Zvërnec, shtrihet në një brez pyjor me tre plazhe, që ndajnë Adriatikun me lagunën e Nartës. Përmes kronikës në vijim, Report TV sjellë për herë të parë një shpjegim për kufijtë e saktë dhe çfarë po ndodh aktualisht në zonën e cila prej ditësh po ushqen një debat të fortë në vend.
/Report TV