“Vura bast me Noizyn për zgjedhje”, Stresi flet si zyrtar i PD: Vij në parti si strateg, nusen tani e dua politikane

Reperi Arkimed Lusha, i njohur me emrin artistik Stresi, ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ku foli në lidhje me postin e ri si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.
“Po merrem me muzikë dhe me postin e ri si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Iniciativën e mora vetë, kam një periudhë shumë të ngarkuar. Që në ditën që jam zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar, kam nisur punën me elektoratin tim. Dua të anëtarësoj sa më shumë të rinj me PD.
Vij me strategji, jam strateg. Familja ime janë të anëtarësuar me PD që nga viti 1991, unë kam nisur që në klasë të katërt. Te kjo foto ku unë jam krah Berishës. Unë jam spartani i PD dhe nuk i kam shitur asnjëherë idealet e mia. Këlliçi dhe Balliu më kanë sugjeruar dhe mbështetut dhe ndodhi.
Unë shkoj në seli çdo ditë. Takoj njerëzit aty, më presin shumë mirë, diskutojmë. Unë jam për rininë, nuk premtoj çudira për ta, por do të jem zëri i tyre dhe me ta. Berisha ende nuk më ka dhënë këshillë, pres ta takoj më padurim, kam bërë kërkesë që ta takoj dhe i premtoj se do të bëjmë gjëra të mira.
Babai im është njeriu më krenar për mua. Me Noizyn bëjmë shumë shaka për ndasitë politike dhe nuk kemi probleme për këtë. Vumë bast për zgjedhjet me 100 euro. Fitoi ai dhe kur ia dhashë, i thashë të m’i kthejë sepse zgjedhjet janë vjedhur. Bëjmë edhe humor.
Nëse do të bëhesha deputet, nuk do të më përballonin. Unë di shumë gjëra, edhe që nuk dihen. Kam miq socialistë, por në fund nuk bëjmë kompromis. Sa i përket Zvërnecit, unë jam pro investimit, por me transparencë ndaj popullit. Jam dakord që një kompani e madhe të investojë në Shqipëri, por këtu ka një ngërç.
Artistikisht, komuniteti LG, si quhet, është organizatë terroriste, sepse shuan familjen. Ata më përndjekin, por ky është mendimi im. Unë mbroj vlerat e familjes, traditës shqiptare. Kjo protestë për Zvërnecin më pëlqen se qytetarëve u ka dalë frika.
E them pa problem, tani mund të dalin në protestë edhe nga administrata. Gjithashtu, shumica e atyre qytetarëve janë votues të PS, që nuk janë të kënaqur me qeverinë. Djalit (Clevios) i uroj shumë suksese, është i talentuar. Jam rritur me të, nuk di asgjë rreth marrëdhënieve dhe asaj që bën ai, i uroj më të mirat. Jam single, nusen e ardhme e dua politikane, serioze”, u shpreh Stresi.


