Alarmi për bombë në qendrën tregtare “Toptani”, reagon policia

Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me alarmin për bombë në qendrën tregtare Toptani Shopping Center, duke sqaruar se bëhej fjalë për një njoftim të rremë.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 20:10, shtetasi A. D. ka njoftuar sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në emailin e tij, si shef sigurie në qendrën tregtare, kishte marrë një mesazh ku pretendohej se ishte vendosur një sasi lënde plasëse që do të shpërthente në orën 20:30.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe njësitë antiterror, të cilat kanë kryer kontroll të imtësishëm në ambientet e qendrës tregtare. Pas verifikimeve, nuk është konstatuar asnjë lëndë plasëse apo element i paligjshëm.


