Aktmarrëveshjet e 2026, OSHEE: Përfitojnë reduktim të kamatëvonesës 68.8% të klientëve debitorë

OSHEE Group ka njoftuar se në aktmarrëveshje e 2026 kanë përfituar reduktim të kamatëvonesës 68.8% të klientëve debitorë.
Deri më tani janë lidhur 4,095 aktmarrëveshje me Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), nga këto 2,818 klientë familjarë dhe jofamiljarë, ose 68.8% përfshirë bizneset dhe institucionet buxhetore dhe jobuxhetore, kanë shlyer të gjithë detyrimin me një këst të vetëm, duke përfituar reduktim të kamatëvonesës sipas kategorisë përkatëse.
Sa i takon kategorive përfituese të AKM-ve, deri më tani, janë lidhur rreth 2,893 aktmarrëveshje me FSHU për kategorinë familjar, nga të cilët 965 kanë zgjedhur ta shlyejnë detyrimin përmes pagesave me këste, ndërsa 1928 klientë i kanë shlyer faturat e prapambetura ndaj OSHEE-së me një këst të vetëm, duke përfituar reduktim të kamatëvonesës në masën 70%. Ndërsa 1,202 kontrata të aktmarrëveshjeve janë firmosur nga kategoritë jofamiljarë-privatë ku përfshihen klientët buxhetorë dhe jobuxhetorë, bizneset e vogla dhe të mëdha.
Skema e pagesës me këste të detyrimeve ndaj OSHEE-së të krijuara deri më 31 dhjetor 2024, përfshin të gjitha kategoritë e klientëve të FSHU-së, duke pasur në vëmendje të veçantë kategoritë në nevojë. Këtyre kategorive u jepet mundësia të lidhin aktmarrëveshje edhe për detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025.
Kush janë përfituesit e aktmarrëveshjeve?
Në kuadër të skemës përfshihen klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë. Këta klientë mund t’i shlyejnë detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2025, duke nisur nga një këst minimal prej 1200 lekësh në muaj, me kusht që të mos kenë detyrime të reja të pashlyera për vitin 2026. Për të ruajtur një standard të përballueshëm për klientët, por edhe të drejtë në raport me detyrimin, numri maksimal i kësteve nuk do të jetë më shumë se 240 këste. Në çdo rast, klienti ka të drejtë të zgjedhë një këst me vlerë më të lartë se vlera minimale e përcaktuar, duke respektuar kushtin që shlyerja të kryhet brenda një periudhe prej jo më shumë se 240 këstesh.
Skema për klientët buxhetorë dhe jobuxhetorë
Për kategoritë buxhetore dhe jobuxhetore, skema e aktmarrëveshjeve parashikon përfshirjen e të gjithë detyrimit në marrëveshje, ndërsa numri i kësteve përcaktohet në varësi të vlerës së debisë për faturat e prapambetura deri më 31 dhjetor 2024. Edhe për këto kategori, kusht është që klientët të mos kenë krijuar debi të reja për periudhën 2025–2026.
Numri i kësteve përcaktohet sipas vlerës së detyrimit:
24 këste për detyrime nga 100,000 deri në 500,000 lekë;
48 këste për detyrime nga 500,001 deri në 1,000,000 lekë;
60 këste për detyrime nga 1,000,001 deri në 5,000,000 lekë;
84 këste për detyrime nga 5,000,001 deri në 10,000,000 lekë;
120 këste për detyrime mbi 10,000,000 lekë.
Skema “speciale”
OSHEE Group ka miratuar gjithashtu një skemë të veçantë për faturat korrektive, faturat përmbledhëse dhe sistemuese, si dhe për rastet që lidhen me demontimin apo testimin e matësit dhe energjinë e akumuluar në matës.
Këto detyrime mund të likuidohen me deri në 24 këste. Në rast se debia e akumuluar paguhet me një këst të vetëm, klienti përfiton edhe ulje të kamatëvonesës, sipas kushteve të përcaktuara në skemën lehtësuese.
Reduktimi i kamatëvonesave
Klientët familjarë përfitojnë reduktim në masën 70% të kamatëvonesës;
Klientët jofamiljarë, buxhetorë dhe jobuxhetorë, përfitojnë reduktim në masën 50%;
Biznesi i vogël përfiton falje të plotë, 100%, të kamatëvonesës, nëse likuidon të gjithë detyrimin menjëherë.
Këto reduktime synojnë t’u japin klientëve një mundësi më të lehtë për të mbyllur detyrimet e prapambetura, duke ulur ndjeshëm shumën që duhet të paguajnë në rastin e shlyerjes së menjëhershme.


