Rama mblodhi ministrat dhe drejtuesit politikë, zbulohen porositë dhe detyrat që iu la gjatë takimit te ‘Vila e Kuqe’

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të mërkurë një mbledhje me ministrat dhe drejtuesit politikë në ambientet e Vilës së Kuqe në Sauk.
Gjatë këtij takimi, raportohet se secili prej drejtuesve politikë ka prezantuar një kalendar të detajuar për aksionin e quajtur “Ora e Pranisë Besnike”, i cili parashikon zhvillimin e takimeve intensive në terren me qytetarët.
Një pjesë e këtyre takimeve do të nisin që këtë fundjavë, ku deputetët dhe zëvendësministrat do të zbresin në bazë për t’u njohur nga afër me shqetësimet dhe kërkesat e banorëve.
Mbledhja e sotme në Sauk i paraprin një tjetër takimi që do të zhvillohet ditën e nesërme në Pallatin e Brigadave, ku kryeministri do të mbledhë grupin e plotë parlamentar dhe kabinetin qeveritar.


