Ja çfarë duhet të bëni në mënyrë që të rrisni performancën e partnerëve tuaj në shtrat

Një përmbledhje e studimeve zbuloi se stërvitjet janë po aq të efektshme sa ilaçet për disa çështje të sikletshme. Gjysma e meshkujve mbi 40 vjeç vuajnë nga mosfunksionimi erektil ose ejakulimi i parakohshëm, duke shkaktuar probleme në jetën e tyre seksuale.
Hulumtimet tregojnë se stërvitjet e rregullta rrisin testosteronin, forcojnë muskujt e legenit dhe rrisin nivelet e energjisë, të cilat të gjitha ndihmojnë në përmirësimin e aftësisë seksuale. Ato gjithashtu i lënë meshkujt të ndihen më të sigurt dhe më pak të shqetësuar. Ekspertët thonë se mjekët duhet t’i ndihmojnë burrat të fitojnë formë, në vend që të mbështeten te ilaçet.
Profesor Lee Smith, nga Universiteti Anglia Ruskin në Kembrixh, tha:
“Ndërhyrjet farmakologjike do të kenë gjithmonë një rol për të luajtur, por të kesh më shumë opsione do të jetë e mirëseardhur.”
Luke Pratsides, shefi i mjekësisë në firmën e shëndetit të meshkujve Numan, shtoi:
“Ju keni nevojë për një qasje holistike për të zgjidhur mosfunksionimin seksual. Kjo përfshin trajtimet mjekësore, aktivitetin fizik, ushqimin dhe mbështetjen e shëndetit mendor, të gjitha së bashku. Nuk ka nevojë për ndonjë siklet apo turp, këto janë probleme të zakonshme.”
Meshkujt kanë më shumë gjasa të përballen me probleme në këtë fushë nëse pinë duhan, konsumojnë shumë alkool, janë jashtë formës fizike ose kanë probleme të tjera të shëndetit mendor ose fizik. Ekipi shqyrtoi qindra studime të kaluara dhe tha se ka “rezultate premtuese” mbi efektet e stërvitjes, por nevojiten prova më të detajuara. Ata theksuan se vrapimi mund të ulë rrezikun e ejakulimit të parakohshëm më shumë se mjekimi, dhe trajnimi i forcës së legenit mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të ereksionit.
Një studim i fundit nga Universiteti Jagiellonian në Poloni zbuloi se humbja e peshës i la meshkujt obezë më të kënaqur me jetën e tyre seksuale. Duke shkruar në revistën Trends in Urology & Men’s Health, Prof. Lee Smith shtoi:
“Edhe pse aktiviteti fizik nuk rekomandohet zyrtarisht, ne e rekomandojmë shumë atë për parandalimin dhe menaxhimin e mosfunksionimit seksual mashkullor, dhe veçanërisht të mosfunksionimit erektil, ejakulimit të parakohshëm dhe epshit të ulët.”/Shqip


