Ermal Meta, shënon një tjetër sukses në karrierën e tij, 'Stella Stellina' rrëmben çmimin ‘Elsa Morante’

Këngëtari shqiptar Ermal Meta ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e tij artistike në Itali, duke u shpallur fitues i Çmimit Muzikor “Elsa Morante”.
Vlerësimi i është dhënë për projektin e tij “Stella Stellina”, një këngë dhe libër i dedikuar fëmijëve të Gazës, të cilët janë prekur nga konflikti Izrael-Palestinë. Tema e këtij viti e çmimit ishte “Ragazzini salvati dal mondo” (Fëmijët e shpëtuar nga bota), dhe vepra e Metës është vlerësuar për mënyrën se si pasqyron botën e fëmijëve si një hapësirë të së vërtetës, shpresës dhe shpëtimit.
“Stella Stellina” ishte gjithashtu pjesë e garës në edicionin e 76-të të festivalit të Sanremos, ku u rendit ndër këngët më të vlerësuara të kompeticionit.
Ermal Meta njihet prej vitesh për angazhimin e tij social dhe artistik, duke trajtuar shpesh tema të ndjeshme për shoqërinë përmes muzikës së tij. Ai, së bashku me partneren e tij Chiara, është gjithashtu i angazhuar në projekte bamirësie në Shqipëri, përfshirë mbështetjen e vajzave dhe grave në nevojë, si dhe përfshirjen në historinë e adoptimit të dy vajzave që më parë kanë qenë në një jetimore në vend.


