"Jeni mësuar me çanta me para"/ Balla përplaset me Kaprin, i nxjerr SMS-të: Mu lute të ruaja votat nga komisionerët e PD

Debate të forta janë shënuar në seancën plenare mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetit të Partisë “Mundësia”, Erald Kapri.
Balla iu drejtua me një pyetje publike Agron Shehajt, i cili nuk ndodhet në sallën e Parlamentit pasi është përjashtuar për 30 ditë.
“Gone, sqaro si mund të shesë një njeri një apartament 151 m2 për 15 mln euro”, ishte pyetja që Balla i drejtoi Shehajt.
Pyetjes së Ballës iu përgjigj deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i cili akuzoi mazhorancën për arrogancë dhe për kufizimin e të drejtës së opozitës për të replikuar në Kuvend. Kapri tha se sulmet e vazhdueshme ndaj Agron Shehajt janë shndërruar në një “Agronofobi”, ndërsa mbrojti kreun e partisë së tij si një sipërmarrës që ka krijuar vende pune.
Sakaq Taulant Balla përsëriti akuzat ndaj Shehajt për shitjen e një apartamenti me një vlerë që ai e cilësoi të pajustifikueshme.
Kapri: Tre herë më keni mohuar të drejtën e replikës në këtë seancë. Nëse ju mendoni se përmes arrogancës buron legjitimiteti më vjen keq. Vetë flisni, vetë votoni dhe vetë duartrokisni njëri-tjetrin. Parlamenti është për opozitën, të paktën na jepni të drejtën e fjalës. Zoti Balla akuzat tuaja ndaj kryetarit të Partisë Mundësia janë kthyer në një Agronofobi. Agonofobia është frika nga e vërteta e Agron Shehajt. Ju keni çdo instrument në dorë. Nuk do na e mbyllni dot gojën. Ju nuk jeni mësuar me një model biznesmeni që krijon dhjetëra mijëra vende pune, ju jeni mësuar me modele çantash.
Balla: Të fala Gones, o Gone. I vetmi depitet që ka ardhur me asistent me vete, pa pako kur është zgjedhur…kur numëronim votat e diasporës ky më fuste miq mua që t’i kërkoja numëruesve tanë (i kam mesazhet këtu), më thoje të ruaja votat e tua se po t’i vidhte PD-ja. Turp të kesh, vetëm burrë s’mund të bëhesh ti. Ti dhe miqtë e tu nuk kishit besim te numëruesit e PD-së dhe erdhe te unë. Votat t‘i mbrojtën numëruesit e PS-së, nuk t’i vodhën numëruesit e PD dhe ti erdhe deputet në ktë sallë. Kryetari i partisë ka gjithë mundësinë të mbrohet vetë. Unë thashë që më bën përshtypje se një shtëpi 115 metra katror shitet për 15 mln euro. Edhe shtëpia e Madonës, jo e Gones nuk do bënte 15 mln euro. Nuk ju pranojmë ju si përfaqësues të protestës. Nuk ju njoh fare.


