QSUT kërkoi pajisje mjekësore me donacione, revoltohet Erisa Xhixho: I dhatë 4 mln euro Kanye West

Politikë

QSUT kërkoi pajisje mjekësore me donacione, revoltohet Erisa Xhixho: I

Një dokument i bërë publik së fundmi në media për një shpallje donacionesh nga QSUT për disa pajisje mjekësore, përfshirë respiratorë dhe defibrilatorë, u bë objekt debati mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Shëndetësisë.

Deputetja Erisa Xhixho kërkoi në seancë dëgjimore që ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, të japë llogari për mungesat e pajisjeve në QSUT, duke akuzuar qeverinë se e ka lënë shëndetësinë në mjerim, ndërsa me një akt normativ ka dhënë 4.2 milionë euro për koncertin e Kanye West.

'Kemi kërkuar disa herë ministren e Shëndetësisë që të vijë të raportojë për situatën në Onkologjik, në Spitalin e Traumës, për urdhrin që ka nxjerrë kjo ministri për sistemin hormonal te fëmijët e me radhë. Doja të denoncoja atë publikim të QSUT-së, në një kohë që qeveria, me një akt normativ, çoi 4 milionë euro në koncertin e Kanye West, duke prekur fondin e rezervës, i cili duhet të përdoret vetëm në raste nevojash dhe urgjencash. Kjo qeveri që çon 4.2 milionë euro për një show, një qeveri e zhytur në korrupsion, ndërkohë që QSUT nxjerr këto kërkesa për donacione. Ky komision është në përgjegjësinë e tij të kërkojë llogari. Nuk ka respiratorë, defibrilatorë, brakiterapi, shiringa elektrike, 13 barela. Rama çon lekët te koncerti. Ne s’kemi PET Scan, por po japim 4.2 milionë euro për koncertin', tha ajo.

Përgjigjen e dha nënkryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, i cili sqaroi se publikimi i nevojave për pajisje në platformën e donacioneve të QSUT-së është një procedurë e rregullt dhe e detyrueshme me ligj, që synon të garantojë transparencën dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurisë publike.

Sipas tij, identifikimi i nevojave kalon në një proces institucional mes QSUT-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme, përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike. Shalsi theksoi se njoftimi është publikuar që në muajin shkurt dhe se, aktualisht, të gjitha nevojat e listuara janë plotësuar.

Ai sqaroi gjithashtu se pajisjet e shpallura mund të sigurohen përmes procedurave të prokurimit ose të hiqen nga lista në rast se ofrohen si donacion.

'Kolegia nuk e ka mësuar që ka një platformë donacionesh. Ka një pjesë të faqes zyrtare të QSUT-së, ku me ligj detyrohen të publikojnë nevojat dhe që quhet Platforma e Donacioneve. Çfarë është kjo platformë? Identifikimi i nevojave kalon në disa procese dhe ka një korrespondencë midis QSUT-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme, përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike. Pra, pjesë e procesit janë nevojat, të cilat, për shkak të transparencës, të drejtës së informimit dhe përgjegjësisë për administrimin e pasurisë publike, duhet të publikohen. Është një procedurë që ka qenë aty, njoftimi është publikuar që në muajin shkurt dhe bëhet në mënyrë të rregullt. Sot që flasim, të gjitha ato nevoja janë plotësuar', tha ai.

ME TE LEXUARAT