Format 'fit' të shqiptarëve, ndër më elegantët në Evropë e larg obezitetit

Aktualitet

Format 'fit' të shqiptarëve, ndër më
Shqipëria renditet ndër vendet europiane me përqindjen më të ulët të popullsisë obeze. Sipas të dhënave të Eurostat, 12.6% e shqiptarëve klasifikoheshin si obezë në vitin 2022, bazuar në indeksin e masës trupore (BMI), dukshëm më pak se mesatarja e BE-së prej 16.3%.

Në renditjen europiane, Shqipëria qëndron pranë vendeve me normat më të ulëta, si Greqia me 12.8% dhe Rumania me 12.9%, ndërsa më poshtë rezultojnë vetëm Mali i Zi me 7.8% dhe Italia me 7%. Në kahun tjetër, Malta kryeson me 26.6%, e ndjekur nga Letonia me 24.6% dhe Islanda me 24.2%.

Për Shqipërinë, megjithatë, të dhënat e fundit të disponueshme i përkasin vitit 2022, ndaj krahasimi me shumicën e vendeve të tjera, që i kanë të dhënat e përditësuara për 2025-n, duhet lexuar me këtë rezervë.

BMI (Body Mass Index), ose indeksi i masës trupore, është një tregues që lidh peshën e një personi me gjatësinë e tij dhe llogaritet duke pjesëtuar kilogramët me katrorin e gjatësisë në metra.

Sipas Eurostat, një i rritur konsiderohet obez kur BMI është 30 ose më shumë, ndërsa vlerat nga 25 deri nën 30 klasifikohen si mbipeshë. Eurostat e përdor shkallën e obezitetit si një nga treguesit për monitorimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), konkretisht SDG 2 – “Zero uri” dhe SDG 3 – “Shëndet dhe mirëqenie”.

Arsyeja është se SDG 2 nuk lidhet vetëm me mungesën e ushqimit, por edhe me kequshqyerjen dhe cilësinë e të ushqyerit; në Europë, obeziteti është një nga problemet më të përhapura që lidhen me ushqyerjen. Ndërsa për SDG 3, treguesi shërben për të matur një faktor të rëndësishëm rreziku për sëmundje kronike dhe për gjendjen e përgjithshme shëndetësore të popullsisë

Europa, italianët më elegantët

Në vitin 2025, 16.3% e personave të moshës 18 vjeç e lart në Bashkimin Europian ishin obezë, që do të thotë se kishin një indeks të masës trupore (BMI) prej 30 ose më të lartë.

Një tjetër 35.4% e popullsisë ishte në kategorinë para obezitetit, me një BMI nga 25 deri në 30. Në total, më shumë se gjysma e popullsisë së BE-së ishte mbipeshë, qoftë obeze apo në fazën para obezitetit.

Burrat kishin më shumë gjasa të ishin mbipeshë sesa gratë. Shkalla e obezitetit ishte 17.4% te burrat dhe 15.3% te gratë.

Gjithashtu, 41.9% e burrave ishin në kategorinë para obezitetit, krahasuar me 29.3% të grave. Në të kundërt, nënpesha ishte më e përhapur te gratë, me 2.9%, krahasuar me 1.0% te burrat.

Normat më të larta të obezitetit u regjistruan në Maltë, ku më shumë se një e katërta e popullsisë ishte obeze (26.6%). Më pas renditeshin Letonia me 24.6% dhe Finlanda me 23.2%.

Normat më të ulëta u regjistruan në Itali, me vetëm 7.0%, e ndjekur nga Greqia me 12.8% dhe Rumania me 12.9%./monitor/

ME TE LEXUARAT