KQZ nuk kursen askënd, gjobit edhe aleatin e Berishës për raportin financiar/ Ja çfarë bëri

Aleanca e “madhështorëve” të 11 majit 2025 po përçahet. Arsyeja nuk lidhet me bindjet e secilës parti të koalicionit me çështje politike por gjobat që duhet të shlyejnë.
Bashkimi Liberal Demokrat, një prej 26 aleatëve të PD në zgjedhjet e majit kundërshton të paguaj një gjobë të vendosur nga Kryekomisionieri Ilirjan Celibashi, në korrik, për mosparaqitjen në kohë të raportit financiar, siç ligji e kërkon.
Gjoba është në shumën e 2 milionë lekëve por drejtuesi i partisë “Bashkimi Liberal Demokrat”, Arjan Starova thotë se duhet ta paguaj Partia Demokratike dhe jo partia e tij.
“Detyrimi për paraqitjen e raportit financiar duhet të analizohet në funksion të subjektit zgjedhor që ka marr pjesë në zgjedhje, pra koalicioni, dhe jo vetëm në raport me partitë politike që e përbëjnë atë. Në zgjedhjet e 11 majit 2025 subjekti që mori pjesë në garë ishte Koalicioni “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore,” jo Bashkimi Liberal Demokrat si subjekt i veçantë”.
Pra, BLD-ja e drejton KQZ-në që të çojë gjobën në adresë të PD-së si drejtuese e koalicionit “PD,-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Vendimi se kush duhet ta paguajë gjobën tani do i takoj Komisionit të Ankimimeve në KQZ, nëse do të mbetet në adresë të PLD-së apo do të zhvendoset në PD.
Por kjo kërkesë e Bashkimit Liberal Demokrat mund të bëjë që dhe parti të tjera të trenit blu të 11 majit, të kërkojnë të njëjtën gjë, pasi disa prej tyre janë ndëshkuar me gjobë.


