Braçe reagon sërish: "Nuk largohem nga PS-ja, mos insistoni kot"

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar përsëri lidhur me zërat për një largim të mundshëm të tij nga Partia Socialiste, duke shtuar sqarime mbi qëndrimin që e ndau të martën.
Sipas Braçes, fakti që ai vazhdon të kritikojë hapur problematika dhe pakënaqësi brenda PS-së nuk e ndryshon vendimin e tij për të mbetur pjesë e kësaj force politike. "Unë kam qenë socialist, jam socialist, do jem socialist, kjo gjë nuk ndryshon, mos insistoni kot," shkroi ai. Megjithatë, theksoi se kjo besnikëri ndaj partisë nuk do të thotë se ka "mbyllur sytë, veshët, gojën" përpara çështjeve që kërkojnë vëmendje kritike.
Braçe vlerësoi se brenda protestave aktuale ekzistojnë, krahas pakënaqësive të ligjshme qytetare, edhe "axhenda primitive e të rrezikshme", kryesisht për shkak të kërkesave politike specifike që synojnë rrëzimin e qeverisë dhe delegjitimimin e mazhorancës pa kalim nga procesi votues. Sipas tij, propozimi për zgjedhjen e 101 përfaqësuesve direkt nga sheshi, pa proces zgjedhor të ligjshëm, për të formuar një qeveri teknike, është "jo vetëm utopi qesharake, por populizëm primitiv dhe i rrezikshëm", pasi rrezikon të çojë vendin drejt kaosit, jo drejt qëndrueshmërisë.
Deputeti theksoi se Shqipëria po kalon një moment historik për shkak të procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e quajtur këtë "projektin politik më të madh e më jetik" për vendin nga 1912 e këtej. Megjithatë, ai pranoi se vendi ka probleme reale me demokracinë, zgjedhjet dhe ligjshmërinë, probleme që, sipas tij, vetë negociatat me BE-në i kanë theksuar dhe që duhen adresuar përmes rrugëve legjitime, jo nëpërmjet zgjidhjeve populiste.


