Përplasja për gjobat / Haxhia del në mbrojtje të avokatëve: Do t’i ankimojmë, nëse s’fshihen i mbulon Dhoma

Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, ka reaguar lidhur me gjobat e vendosura nga Gjykata e Posaçme ndaj avokatëve që kanë bojkotuar seancat gjyqësore, në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së re për ndalimin e përdorimit të celularëve në sallat e gjyqit.
Haxhia bëri të ditur se Dhoma Kombëtare e Avokatisë i është drejtuar edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor për këtë çështje, por sipas tij, nuk ka marrë përgjigje.
Ai deklaroi se gjobat do të ankimohen në rrugë ligjore dhe se, në rast se ato do të mbeten në fuqi, detyrimet do të mbulohen nga Dhoma e Avokatisë.
Sipas Haxhisë, në mbështetje të qëndrimit të avokatëve është shprehur edhe OSBE-ja. Kreu i Dhomës së Avokatisë kritikoi gjithashtu mungesën e një reagimi nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion lidhur me këtë qëndrim.
“Gjobat ne do t’i ankimojmë. Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet e drejtësisë për gjobat që na kanë vendosur. Nuk mund të prevalojë një rregullore që nuk është për ne. Është një rregullore që nuk përshtatet me ligjin”, deklaroi Haxhia.
Ai shtoi se Dhoma e Avokatisë do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore deri në fund.
“Edhe në rast se gjobat qëndrojnë, do t’i mbulojë Dhoma e Avokatisë. Ne do ta ndjekim situatën deri në fund nga ana ligjore”, u shpreh Maks Haxhia.


