Pse u shkarkua Vlora Hyseni nga Albin Kurti?

Për herë të parë në historinë e pas vitit 1991 të Shërbimit Informativ Shtetëror, drejtuesja e tij, Vlora Hyseni, e cila mban këtë post prej tre vitesh, përballet me akuza të rënda nga sistemi i drejtësisë për keqpërdorim të sekreteve shtetërore dhe ndarje të tyre me grupe kriminale.
E nisur në fushën e inteligjencës në Kosovë që nga viti 2010, 42-vjeçarja kishte shërbyer si zëvendësdrejtore dhe më pas ushtruese e detyrës së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), përpara se të shkarkohej në prill të vitit 2021 nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Pas shkarkimit nga Prishtina zyrtare për arsye që nuk janë bërë kurrë publike, Hyseni u angazhua nga kryeministri Edi Rama si këshilltare për Sigurinë Kombëtare në Tiranë, për t’u propozuar më pas në mars 2023 si kryetare e SHISH-it.
Pavarësisht skepticizmit dhe thirrjeve të opozitës drejtuar presidentit Bajram Begaj për të verifikuar shkaqet e largimit të saj nga Kosova përpara dekretimit, ajo u emërua zyrtarisht në krye të institucionit më 3 prill 2023, ku sot përballet me pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e detyrës së saj.


