I ngarkuar me 100 kg eksploziv dhe me sensorë të prishur, dalin të tjera detaje mbi dronin që alarmoi Greqinë

Kosovë&Rajon

I ngarkuar me 100 kg eksploziv dhe me sensorë të prishur, dalin

Një dron detar i pajisur me eksploziv dhe teknologji të avancuar ka shkaktuar alarm në Greqi pasi u zbulua pranë brigjeve të Lefkadës. Autoritetet greke kanë transferuar tashmë pajisjen në Athinë, ku specialistët e Forcave të Armatosura po analizojnë të gjitha elementet teknike dhe operative të saj.

Sipas dëshmive dhe informacioneve të para hetimore, droni kishte tre sensorë në pjesën ballore, ndërsa dy prej tyre rezultonin të dëmtuar në momentin kur objekti u lokalizua në det. Ekspertët dyshojnë se pajisja mund të jetë përplasur me shkëmbinjtë, duke humbur orientimin dhe kontrollin e navigimit.

Operacioni për neutralizimin e dronit u konsiderua me rrezik të lartë. Njësitë speciale të ushtrisë greke kryen një shpërthim të kontrolluar për të asgjësuar rreth 100 kilogramë lëndë shpërthyese të vendosura brenda një fuçie në pjesën e përparme të mjetit lundrues. Ndërhyrja u zhvillua në zonën detare të Astakos nën masa të rrepta sigurie.

Sipas mediave greke, objekti konsiderohet teknologjikisht i avancuar dhe me funksionim autonom. Kryetari i punëtorëve portualë të Lefkadës, Stathis Vasilatos, deklaroi për “ERT News” se autoritetet mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe urdhëruan mbajtjen e distancës së sigurisë pa prekur objektin. Ai shpjegoi se droni ishte i pajisur me bateri të integruara dhe sistem navigimi GPS.

“Në qendër kishte një kamerë me rezolucion të lartë dhe dy panele që me shumë gjasa lidhen me sistemin GPS. Ishte i zi, shumë i ulët mbi sipërfaqen e ujit, rreth një metër, në mënyrë që të mos identifikohej lehtë gjatë natës”, tha ai.

Sipas tij, pajisja mund të ketë humbur sinjalin GPS ose të jetë ndikuar nga kushtet atmosferike, duke përfunduar pa kontroll drejt brigjeve shkëmbore.

“Përpara kishte tre sensorë. Dy prej tyre ishin të thyer kur e gjetëm, gjë që tregon se ka të ngjarë të jetë përplasur dhe të ketë humbur orientimin”, shtoi Vasilatos.

ME TE LEXUARAT