Kur “zemrat” në Instagram përfundojnë në dyert e gjykatave/ Në vit procedohen 961 fëmijë, avokati tregon rastin

Të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se për një vit iu referuan dhomave penale në gjykata 961 të mitur që kishin statusin e të pandehurit.
Një ndër adoleshentet që u procedua ishte ajo e klientes së avokatit Lorenc Danaj, e cila kishte statusin edhe të të akuzuarës, edhe të viktimës. Gjimnazistja u përfshi në përleshje masive mes vajzash pas një mosmarrëveshjeje me bashkëmoshataret për simbolin e zemrës që e kishte klikuar në Instagramin e të dashurit të njërës prej tyre.
“Ka qenë i njëjti rast, konflikt i lindur përmes Instagramit, i cili ka pasuar me veprime dhune të mëpasme me njëra-tjetrën. Nuk ka fokusuar në ndërgjegjësimin në gjykatë dhe situata ngelët shqetësuese për këto grupmosha”, tha avokati Lorenc Danaj.
Ndërkohë gazetarja Anila Hoxha e pyeti avokatin nëse janë shfaqur të penduara gjatë kohës që po hetohej apo kur u avancuan hetimet.
“Nuk pati asnjë moment me akulpa për asnjërën palë, edhe ky është problemi më shqetësues për këto raste”, tha avokati Lorenc Danaj.
Për konfliktin që u kategorizua tek dëmtimet me dashje, pasi të dyja palët kishin dhunuar njëra-tjetrën, gjykata i ftoi për ndërmjetësim. Por asnjëra prej tyre nuk pranoi.
Qendra për Parandalimin e Krimeve tek të Miturit thotë se vazhdimisht është përdorur nga drejtësia këshillimi.
“Ana tjetër e kësaj medaljeje është se në Shqipëri nuk ka një sistem rehabilitimi për këto raste, e cila pasohet edhe me mosedukimin, riedukimin e tyre pas kësaj kundërvajtjeje penale”, tha avokati Lorenc Danaj.
Në një vit për 521 të mitur drejtësia ka vendosur masën e shmangies, për 90 të tjerë këshillim, për 408 paralajmërim me shkrim dhe ndaj 811 ishin prokuroritë që shpallën mosfillim të hetimeve.


