Detaje nga krimi në Athinë/ Të shtënat që tronditën banorët, 45-vjeçarja u vra te pallati ku jeton e bija

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në Nea Smyrni të Athinës, ku një burrë dhe një 45-vjeçare me origjinë shqiptare u gjetën të pajetë pas të shtënave me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, burri dyshohet se kishte pritur 45-vjeçaren jashtë një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonia”, duke pritur që ajo të dilte nga ndërtesa. Më pas, ai e ka qëlluar disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur, dhe më pas ka qëlluar veten.
Vajza e 45-vjeçares jeton në pallatin pranë vendit të ngjarjes. Ky detaj po shqyrtohet nga autoritetet, të cilat po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e viktimës dhe të përcaktojnë se çfarë ka ndodhur para krimit.
Nga hetimet e para rezulton se viktimat nuk ishin të martuar. Policia po heton marrëdhënien mes tyre, si dhe motivin që mund të ketë çuar në ngjarjen e rëndë.
45-vjeçarja kishte marrë disa plumba në trup dhe në fytyrë, ndërsa burri u gjet me një plagë në kokë. Pranë trupit të tij u gjet edhe arma e zjarrit, çka forcon dyshimet se pas vrasjes së gruas ai i ka dhënë fund jetës.
Një banore e zonës ka treguar për autoritetet se kishte dëgjuar të shtënat rreth orës 05:30 të mëngjesit.
“Dëgjova tre të shtëna me armë zjarri në orën 5:30 të mëngjesit”, ka deklaruar ajo.
Sipas dëshmisë së saj, pas të shtënave nuk kishte dëgjuar automjete apo konstatuar lëvizje të tjera të dyshimta në zonë.
Hetimi po zhvillohet nga departamenti kompetent i Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar. Autoritetet po vijojnë këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, në përpjekje për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e krimit.


