Operacioni “Shëtitësi”/ Kapet në flagrancë 56-vjeçari në Shkodër, dyshohet se vodhi para në taksi dhe 3 biçikleta

Një 56-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në Shkodër, pasi dyshohet se është përfshirë në disa raste vjedhjeje.
Policia e Shkodrës bëri të ditur se ka finalizuar operacionin e koduar “Shëtitësi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë Fatos Arifi, 56 vjeç, banues në Durrës.
Sipas policisë, Arifi u kap në lagjen “Liria” në momentin që dyshohet se po tentonte të vidhte një biçikletë.
Hetimet nisën pas denoncimeve të qytetarëve dhe punës hetimore të strukturave të Policisë së Shkodrës për dokumentimin dhe parandalimin e vjedhjeve të pronës.
Nga veprimet procedurale të kryera, 56-vjeçari dyshohet se është autor edhe i vjedhjes së një shume parash brenda një automjeti taksi, si dhe i vjedhjes së dy biçikletave të tjera në zona të ndryshme të Shkodrës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.


