Dalin pamjet nga takimi i Ramës me të deleguarit politikë në Pogradec (VIDEO)

Këto janë pamjet nga takimi i Kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër, Edi Rama, me të deleguarit politikë dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, zhvilluar këtë të dielë në Pogradec.
Në pamjet e publikuara shfaqen momente nga diskutimet, ndarja e opinioneve dhe reflektimet e disa prej pjesëmarrësve mbi dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”.
Burime bëjnë me dije se gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka kërkuar që të lexohen dy dokumentet, “Besa” dhe “Prania Besnike”, ndërsa është diskutuar edhe për shkrirjen e bashkive.
Rama ka pyetur drejtuesit politikë të atyre bashkive që flitet për shkrirjen se përse ka patur një revoltë me Partinë Socialiste dhe t’u shpjegonin qytetarëve se kjo shkrirje do të sillte më shumë shërbime dhe më shpejt.
Rama mësohet gjithashtu se u ka kërkuar drejtuesve politikë që të fillojnë të mendojnë për emrat e zgjedhjeve lokale në 2027 duke u kërkuar emra dhe figura që janë më afër komunitetit.
Rama është ndalur tek dokumenti “Besa” ku është shprehur se ky dokument duhet t’u shpërndahet jo vetëm deputetëve por dhe kryetarëve të bashkive dhe kryetarëve të partive përkatëse që të gjithë të njihen me këtë dokument. Më tej, kryeminsitri u ka kërkuar drejtuesve politikë më tepër prani në komunitet.
Sa i përket kryetarëve të komisioneve parlamentare u ka kërkuar më tepër aktivizim në media dhe më tepër kujdes më menyrën se si përcillen ligjet drejt publikut.


